E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga Dhermiu me dashuri edhe për Sebastianin
Flash

Nga Dhermiu me dashuri edhe për Sebastianin

Klodian Tomorri

Ndërsa Shqipëria shkrumbohet, në vilën qeveritare të Dhërmiut hyjnë e dalin këstexhinjtë. Sot i erdhi radha Sebastian Kurzit, ish-kryeministrit të Austrisë.

Pasi i thuri lavde të mëdha Edi Ramës pas fitores së zgjedhjeve të 11 majit, përmes një editoriali që u botua vetëm në Facebook-un e tij dhe në ndonjë media qeveritare shqiptare, sot Kurzi mbërriti në Dhërmi, i shoqëruar me eskortë nga autoritetet shqiptare. Sepse vjen gjithmonë dita e honorareve.

Aktualisht Kurz nuk mban asnjë detyrë shtetërore që të justifikojë shoqërimin protokollar me eskortë. Përkundrazi, në Austri ai është politikisht i diskredituar dhe juridikisht me njollë penale. Kurz u rrëzua nga Parlamenti austriak pasi ministrat e tij u filmuan duke marrë para nga oligarkë rusë. Më vonë, ai u dënua nga Gjykata e Vjenës për dëshmi të rreme në shkallë të parë, por u shpëtua në apel.

Sot ai thotë se punon si konsulent për disa kompani të mëdha ndërkombëtare, mes tyre fondi Mubadala dhe kompania shtetërore e naftës në Abu Dhabi. Herë pas here bën edhe ndonjë xhiro në Dhërmi. Dhe ky nuk është i vetmi. Aty vjen Toni, vjen ai i Kroacisë, vijnë edhe sheikë.

Kështu që axhenda e pushimeve është e ngjeshur. Në pushimet e vogla mes pritje-përcjelljeve, gjen kohë edhe për ndonjë status rreth debatit që kanë hapur “lehaqentë” pse Shqipëria nuk blen avionë për fikjen e zjarreve. Por “lehaqentë” nuk e dinë se duhen bërë disa llogari: dy avionë për fikjen e zjarreve i hëngri vila e Dajtit, plot 6.5 milionë euro. Dy të tjerë kjo e Dhërmiut. Tani kemi rikonstruktuar edhe një tek Pallati i Brigadave, 5 milionë euro. Pa llogaritur Vlorën, Kavalishencën e të tjera.

Ndërkohë, nga Dhërmiu ku pret e përcjell këstexhinjtë, qeveria është “në ballë të punës” për menaxhimin e situatës së zjarreve. Lehaqentë le të vazhdojnë. Këstet nuk mbarojnë. Por të paktën këta austriakët mund t’i sistemonin te çunat e inceneratorëve, që të mos na binte shumë rëndë. Se nuk mbarohen.

Ah, kjo vilë e Dhërmiut ka edhe një veçanti: ajo është ndarë gjithmonë mes Presidentit dhe Kryeministrit. Por Bajramit nuk i ka rënë rasti të bëjë asnjë ditë pushim aty. Nuk e do vetë, more, jo se nuk e lënë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.