E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga droga te vjedhjet e armët, 8 persona arrestohen në Tiranë
Lajme

Nga droga te vjedhjet e armët, 8 persona arrestohen në Tiranë

Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion të posaçëm për kapjen e personave të shpallur në kërkim, duke arrestuar 8 shtetas të dyshuar ose të dënuar për vepra të ndryshme penale.

Mes tyre janë persona të kërkuar për tentativa vrasjeje, armëmbajtje pa leje, plagosje të rëndë, trafikim dhe shitje narkotikësh, vjedhje, prishje të qetësisë publike dhe falsifikim dokumentesh.

Në kuadër të një plani të posaçëm kontrollesh dhe veprimi operacional, strukturat e Policisë së Tiranës kanë zhvilluar kontrolle dhe verifikime në terren me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave që rezultonin në kërkim.

Operacioni ka çuar në pranga 8 persona, ndaj të cilëve rëndojnë masa sigurie, dënime të formës së prerë ose kërkime për vepra të ndryshme penale. Në një prej rasteve, gjatë ndalimit të një personi të kërkuar për çështje narkotikësh, policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe lëndë të dyshuar Cannabis Sativa.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia e Tiranës, një nga arrestimet është kryer në kuadër të hetimeve për vrasje me dashje të mbetur në tentativë, si dhe për mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.

Bëhet fjalë për shtetasin K. T., 39 vjeç, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”. Arrestimi u realizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Personit dhe Pronës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4.

Në një tjetër rast, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, policia ka arrestuar E. B., 31 vjeç, i cili ishte dënuar me 2 vite burgim për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Operacioni ka prekur edhe fushën e krimeve ekonomike. Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike, së bashku me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, kanë vënë në pranga N. M., i dënuar me 4 muaj burgim për “Falsifikimin e dokumenteve”.

Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë ndaluar S. V., 18 vjeç, i cili kërkohej nga strukturat e Policisë së Elbasanit për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Edhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, kanë ekzekutuar një urdhër ndaj K. Xh., i dënuar me 3 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”.

Në kuadër të të njëjtit operacion, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë arrestuar edhe R. L., 26 vjeç, i dënuar me 3 muaj burgim për “Prishjen e qetësisë publike”. Sipas policisë, këtij shtetasi i kishin mbetur për të vuajtur edhe 1 muaj e 3 ditë burgim.

Po nga Komisariati i Policisë Nr. 3 është arrestuar O. N., 30 vjeç, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Një tjetër arrestim është kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6. Në pranga ka rënë K. M., 29 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë ndalimit të tij, policia ka gjetur një sasi të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Substanca është sekuestruar dhe është administruar si provë materiale në kuadër të procedurave hetimore.

Pas përfundimit të veprimeve të para, materialet procedurale për të 8 rastet i janë referuar Prokurorisë, e cila do të vijojë me procedurat përkatëse ligjore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.