Nga e hëna ndalohen monopatinat elektrike në Shqipëri
Nga e hëna, Policia e Shtetit do të nisë një operacion për ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të monopatinave elektrike në rrugët urbane të vendit, përfshirë trotuaret. Vendimi vjen pas një analize të autoriteteve, që e konsiderojnë përdorimin e tyre një rrezik serioz për sigurinë publike.
Lajmin e bënë të ditur Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në një deklaratë të përbashkët.
Sipas Prodas, gjatë vitit 2024 janë raportuar 991 raste aksidentesh të lidhura me monopatinat, shumë prej tyre me pasoja të rënda, përfshirë edhe raste fatale.
“Ne kemi bërë një analizë të hollësishme në lidhje me këtë fenomen dhe kemi arritur në përfundimin që përdorimi i këtyre mjeteve po shkakton një rrezik imediat për sigurinë publike”, deklaroi Proda.
Ai shtoi se Policia do të veprojë me një procedurë standarde të bazuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, duke ndëshkuar drejtuesit që i përdorin këto mjete në mënyrë të pasigurt dhe duke marrë masa deri në bllokimin administrativ të monopatinave.
Edhe kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale, duke theksuar:
“991 raste të raportuara nga urgjencat janë më shumë se sa mjaft për ta ndalur menjëherë këtë risi të rrezikshme në qarkullimin rrugor të qyteteve tona, deri në hartimin e një rregulloreje strikte të bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.”
Ndërkohë, autoritetet kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve për këtë vendim, duke theksuar se ndalimi do të jetë i përkohshëm deri në hartimin e një kuadri rregullator të ri dhe të saktë për përdorimin e monopatinave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



