Nga Flor Binaj te Adi Krasta, dalin 11 emrat në tavolinën e opozitës
Partia Demokratike vijon intensivisht negociatat me aleatët dhe partitë e vogla që ishin pjesë e frontit opozitar në zgjedhjet e majit 2025, me synimin për të gjetur një kandidat të përbashkët për Bashkinë e Tiranës.
Edhe pse në zgjedhjet e kaluara një pjesë e këtyre forcave politike garuan të vetme, aktualisht ekziston një nevojë e përbashkët për të krijuar një bashkëpunim më të gjerë në përballjen me maxhorancën, veçanërisht në kryeqytet.
Nga njëra anë, Partia Demokratike kërkon të shmangë një tjetër rezultat dëshpërues si ai i zgjedhjeve parlamentare; nga ana tjetër, aleatët më të vegjël duket se po përpiqen të “fshihen pas emrit të PD-së” për të përfituar nga potenciali elektoral i kësaj force politike.
Pavarësisht se gara në Tiranë shihet gjerësisht si e vështirë dhe në favor të mazhorancës, opozita po përpiqet të prodhojë një emër që të mund të bashkojë sa më shumë parti dhe grupime, me qëllim maksimalizimin e votës opozitare. Sipas asaj që raporton cna, disa nga emrat që janë diskutuar në tryezën e negociatave janë:
-
Edlira Çepani, një nga themelueset e partisë “Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt, dhe njëkohësisht bashkëshortja e të ndjerit Gert Bojagni, ish-drejtues i FRPD dhe sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë në PD.
-
Adi Krasta, gazetari dhe moderatori i njohur i “A Show” në Syri TV. Edhe pse përfshirja e tij në politikë është e pasigurt, emri i tij është një prej atyre që po shqyrtohen.
-
Florian Binaj, aktor dhe moderator i emisionit “Piranjat”, i përfolur gjithashtu si një kandidaturë potenciale për Tiranën.
-
Adriatik Lapaj, i cili publikisht ka deklaruar se nuk do të kandidojë, por gjithsesi përmendet në tryezat e diskutimeve. Ai është një nga figurat që shpesh shmang garat e vështira, një sjellje e krahasuar me atë të Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit.
-
Et’hem Aga, biznesmen dhe ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2025.
-
Adriana Kalaja, një emër që është vetofruar për kandidaturën në Tiranë, përballë të emëruarve të tjerë.
-
Florian Açka, një tjetër figurë, emri i së cilës është siguruar nga burime zyrtare pranë aleatëve të PD-së.
-
Gjergj Bojaxhiu, ish-zëvendësministër i Energjisë gjatë qeverisjes së Berishës.
-
Agron Shehaj, për të cilin mësohet se i është ofruar kandidimi me mbështetje të plotë nga opozita. Nuk dihet ende nëse ai do të hyjë në garë, por përflitet si një nga figurat që po rishqyrtohet me seriozitet.
-
Klevis Balliu, që është vetëpropozuar përballë Ogerta Manastirliut, duke shfaqur hapur ambicien për këtë përballje.
-
Ermal Hasimja, politolog dhe figurë aktive në fushën e arsimit privat.
Megjithatë, lista mbetet e hapur dhe jo përfundimtare, pasi procesi i negociatave është i vështirë dhe ende në zhvillim.
Kjo situatë kompleksohet edhe më shumë nga fakti që Partia Socialiste është dukshëm më e organizuar dhe ka nisur fushatën në Tiranë. Kandidatura e Ogerta Manastirliut dhe drejtimi i fushatës nga Belinda Balluku e bëjnë garën edhe më sfiduese për opozitën.
Megjithatë, përpjekjet për të prodhuar një garë dinjitoze vazhdojnë, me shpresën që të gjendet një figurë që jo vetëm të bashkojë opozitën, por edhe t’i japë elektoratit opozitar një kandidat që përfaqëson frymën e vërtetë të ndryshimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



