E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga nofkat te rolet, SKY ECC ‘zbërthen’ rrjetin shqiptar të kokainës
Lajme

Nga nofkat te rolet, SKY ECC ‘zbërthen’ rrjetin shqiptar të kokainës

Detaje të reja nga hetimet mbi komunikimet e platformës së koduar SKY ECC kanë hedhur dritë mbi një rrjet të dyshuar kriminal me përfshirje të shtetasve shqiptarë në trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Analiza e bisedave të përgjuara ka mundësuar identifikimin e individëve kyç, nofkave që përdornin dhe rolit të tyre në këtë aktivitet të strukturuar.

Në qendër të hetimeve qëndron Salvatore Aliu, i njohur edhe si Shpëtim Aliu, i cili rezulton të ketë përdorur disa identitete në komunikime, përfshirë “Daja”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”. Sipas të dhënave hetimore, ai operonte në platformë përmes PIN-eve “RENCID 734726” dhe “V3OLMR”, duke u konsideruar një figurë kyçe në organizimin e trafikut.

Nga të njëjtat burime janë identifikuar edhe disa shtetas të tjerë shqiptarë të përfshirë në këtë rrjet, mes tyre Oklid El Ouejdi, Isa Aliu, Sokol Bibaj, Nikoll Bibaj, Denis Matoshi (i njohur si Eldi Dizdari), Armando Pecani, Dritan Gjika, Florjan Musaj (alias Naum Filo), Aleks dhe Jetmir Pepaj, si dhe Naldi Yzeiraj. Sipas hetimeve, këta individë dyshohet se kanë qenë pjesë e një strukture të organizuar që operonte në trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës.

Identifikimi përmes nofkave në SKY ECC

Hetimet kanë zbuluar mënyrën se si përdoruesit e platformës komunikonin përmes pseudonimeve për të shmangur identifikimin:

  • Salvatore Aliu përdorte disa nofka, ndër më kryesoret “Daja”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”.
  • Oklid El Ouejdi rezulton të jetë përdoruesi i PIN-it “SIKPKA”, ku në një komunikim të datës 20 mars 2020 ai vetëprezantohet me fjalët “Kici jam”.
  • Denis Matoshi, i njohur edhe si Eldi Dizdari, përdorte emra si “El Diablo”, “Tropoja”, “Alduth” dhe “Maca”.
  • Dritan Gjika identifikohet si përdorues i PIN-it “LUO8H1” dhe komunikonte me nofkat “Shkodra”, “Naqe” dhe “Shkodrani”, duke pasur kontakte të vazhdueshme me Salvatore Aliun.
  • Sokol Bibaj rezulton të ketë përdorur nofkat “Gusti”, “Pitbulli” dhe “Puka”.
  • Nikoll Bibaj përmendet me nofkat “Buci” dhe “Ujku”.
  • Armando Pecani identifikohet në komunikime si “Forbes” dhe “Tirana”.
  • Jetmir Pepaj përmendet me nofkën “BMW”.
  • Aleks Pepaj, i njohur edhe si Shkëlqim Pepaj, përdorte emrat “Fedor” dhe “Figura”.
  • Florjan Musaj rezulton me nofkën “Memolk”.

Struktura e trafikut dhe roli i Salvatore Aliut

Sipas dosjes hetimore, Salvatore Aliu dyshohet se ka luajtur rol organizativ në sigurimin dhe transportin e ngarkesave me kokainë nga Ekuadori dhe Kolumbia drejt Europës, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar dhe Shqipërinë. Aktiviteti i tij dyshohet të jetë zhvilluar në funksion të disa grupeve kriminale shqiptare me bazë jashtë vendit, përfshirë në Europë dhe Dubai.

Për realizimin e këtij rrjeti, ai mbështetej në lidhjet e tij në Ekuador, konkretisht tek Naldi Yzeiraj, i identifikuar si nipi i tij, si dhe tek Dritan Gjika, me të cilin kishte lidhje të afërta shoqërore. Përmes këtyre kontakteve dyshohet se janë organizuar dërgesa të shumta të kokainës nga portet e Guayaquil-it.

Metodat e transportit dhe bashkëpunimet e dyshuara

Lënda narkotike maskohej në kontejnerë që transportonin mallra të ligjshme, duke u fshehur në çanta ose të integruara në strukturën e kontejnerëve. Hetimet kanë zbuluar se për të garantuar kalimin e ngarkesave pa u zbuluar, është përdorur një rrjet bashkëpunimi me persona të brendshëm.

Sipas autoriteteve, ky rrjet përfshinte individë në struktura shtetërore, si efektivë policie, pjesëtarë të marinës dhe punonjës portesh, por edhe staf të kompanive ndërkombëtare të transportit detar si Maersk, MSC dhe Hapag-Lloyd.

Këta persona dyshohet se siguronin informacione në kohë reale mbi lëvizjen e kontejnerëve dhe itineraret detare, duke krijuar avantazh strategjik për organizatorët e trafikut.

Hetimet vijojnë

Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe për të dokumentuar të gjithë zinxhirin e aktivitetit kriminal. Të dhënat e deritanishme e pozicionojnë Salvatore Aliun si një nga furnizuesit kryesorë të kokainës nga Amerika Latine drejt tregut europian, në një skemë të mirëorganizuar dhe të shtrirë ndërkombëtarisht.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.