Nga trafiku i 48 tonëve kokainë, te betoni i “Giam Konstruksion”
Si u pastruan milionat e vëllezërve Çela në Shqipëri
Nga redaksia investigative e Publik.al
Një nga operacionet më të mëdha antidrogë të SPAK ka zbuluar një rrjet të sofistikuar kriminal, ku trafiku ndërkombëtar i kokainës nga Amerika Latine drejt Europës lidhet drejtpërdrejt me pastrimin e parave në Shqipëri përmes sektorit të ndërtimit dhe turizmit luksoz. Në qendër të kësaj skeme del emri i Albin Çelës, një prej katër vëllezërve nga Peqini, të akuzuar për trafikun e 48 tonëve kokainë dhe injektimin e fitimeve marramendëse në ekonominë shqiptare.
Nga karteli i drogës te “Giam Konstruksion”
Sipas dosjes hetimore të SPAK, Albin Çela ka luajtur rolin kyç të “arkëtarit” të grupit: ai merrej me marrjen e shumave të mëdha të parave që vinin në Shqipëri nga shitja e kokainës në tregjet europiane. Këto shuma, që përllogariten në miliona euro, janë futur në qarkullim përmes kompanive të blera dhe menaxhuara nga ai.
Sipas dosjes hetimore nga SPAK, bëhet fjalë për kompaninë e ndërtimit, “Giam Konstruksion”.

Një prej tyre është “Giam Konstruksion”, një kompani ndërtimi që në vitin 2022 iu shit nga ortaku i vetëm Kid Kazazi te dy personazhe të tanishëm nën hetim: Albin Çela dhe Osman Kokoshi.
Çmimi i shitjes? Vetëm 100 mijë lekë të vjetra për 100% të kuotave të kompanisë – një shumë qesharake në raport me aktivitetin që kompania do të zhvillonte më pas. Pas blerjes, struktura e pronësisë u nda në 50% për Çelën dhe 50% për Kokoshin.
Nga dokumentet rezulton se menjëherë pas hyrjes në ortakëri, administratori i kompanisë u bë vetë Albin Çela, duke marrë kontrollin e plotë mbi aktivitetin ndërtimor.
Dyshimet e BKH: Betoni si lavatriçe
Burime nga Byroja Kombëtare e Hetimit konfirmojnë për Publik.al se ekzistojnë dyshime të forta se “Giam Konstruksion” është përdorur për pastrimin e parave përmes:
- Blerjes së pasurive të paluajtshme
- Kontratave të kredive dhe dhurimeve të simuluara
- Injektimit të fondeve të pista në projekte ndërtimi
Ky mekanizëm, sipas hetuesve, lejonte që milionat e fituara nga droga të “lyheshin” me beton e tulla, duke u shndërruar në investime të ligjshme në letër.
Lidhjet me turizmin luksoz
Hetimet nuk ndalen vetëm te ndërtimi. SPAK ka zgjeruar kontrollet edhe në “Klajdi Resort”, në pronësi të Osman Kokoshit, ku është sekuestruar celulari i tij si provë. Po ashtu, është vënë nën lupë edhe “Ajman PARK Resort” në Xhafzotaj, pronë e një prej anëtarëve të grupit – Fadil, alias Jul Balla.
Organizata e vëllezërve Çela, një nga më të fuqishmet
Prokurorët Altin Dumani dhe Vladimir Mara e konsiderojnë këtë grup si një nga më të organizuarit dhe më të fuqishmit shqiptarë që ka operuar ndonjëherë në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Struktura ishte e aftë të ndikonte deri edhe në çmimin e drogës në tregjet europiane.
Nga 16 persona të identifikuar si pjesë e këtij rrjeti, 14 janë arrestuar me masën “arrest me burg”, 2 janë me “detyrim paraqitje” dhe disa të tjerë janë kapur jashtë vendit, përfshirë Franc Çopjën në Belgjikë.
Pasuritë e sekuestruara
7 gusht 2025, Gjykata e Posaçme urdhëroi sekuestrimin preventiv të 14 pasurive të lidhura me anëtarët e grupit, përfshirë:
- Resorte turistike në Durrës dhe zona bregdetare
- Vila luksoze në Dhërmi (vlerë tregu rreth 1 milion euro)
- Apartamente dhe truall në Tiranë
- Toka bujqësore në Sharrë, Tiranë
- Kuota në kompani ndërtimi dhe tregtare
- Tre automjete të sekuestruara
- Shuma të mëdha parash: 111,800 euro, 4,000 USD dhe 880,000 lekë
Rasti i vëllezërve Çela është shembulli i pastër se si trafiku ndërkombëtar i drogës dhe sektori i ndërtimit në Shqipëri ndërthuren në një skemë të sofistikuar pastrimi parash. Nga Amerika Latine te kantieret e betonit, paratë e krimit gjejnë rrugën për t’u kthyer në prona, resorte dhe investime “të ligjshme”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



