E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga Xhaçka te Balluku, si ndryshoi qëndrim Rama për imunitetin
Lajme

Nga Xhaçka te Balluku, si ndryshoi qëndrim Rama për imunitetin

ISP: Hetimi i zyrtarëve, nga “nuk mbrojmë askënd” tek përplasja me drejtësinë

Deklaratat e përsëritura ndër vite të kryeministrit Edi Rama se mazhoranca “nuk do të bëhet pengesë për hetimin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë”, se “nuk jemi zyrë avokatie e askujt” dhe se “kush ka probleme me drejtësinë të përballet vetë me të”, rikthehen sërish në vëmendje në dritën e zhvillimeve të fundit që lidhen me diskutimin për imunitetin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Instituti i Studimeve Politike ka analizuar qëndrimet publike të artikuluara ndër vite nga kryeministri Rama dhe vëren një ndryshim të qasjes gjatë viteve 2023–2024, kur Parlamenti u përball me çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të ish-ministres Olta Xhaçka.

Sipas analizës së ISP, çështja Xhaçka përfundoi duke u arkivuar, por ajo shënoi një moment kthesë në raportin e parlamentit me institucionet e drejtësisë. Instituti thekson se nga retorika e mëparshme për respektimin e vendimeve të drejtësisë, debati publik ka kaluar drejt një qasjeje kritike ndaj SPAK dhe refuzimit të hetimeve në disa raste.

“Çështja Xhaçka u arkivua, por më shumë se ajo, parlamenti ka hyrë në një fazë të re, ku nga retorika e mëparshme për respektimin e të drejtës është kaluar tek retorika anti-SPAK për refuzimin e hetimeve. Rasti më flagrant është ai i zv/kryeministres Balluku, proces që pas konsumimit të vendimmarrjes parimore në Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, vijoi prej muajsh në parlament”, thuhet në reagimin e institutit.

Sipas të dhënave të përmbledhura nga ISP, në pesë raste Kuvendi i Shqipërisë ka votuar për heqjen e imunitetit të deputetëve, konkretisht për Tom Doshi, Mark Frroku, Armando Prenga, Arben Ahmetaj dhe Sali Berisha.

Nga “nuk mbrojmë askënd” te përplasja me drejtësinë

Deri më sot, rasti i vetëm kur Kuvendi ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit ishte ai i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në vitin 2017. Në atë kohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi autorizim për arrestimin e tij, por mazhoranca e konsideroi kërkesën të pabazuar në prova të mjaftueshme.

Disa muaj më vonë, në maj të vitit 2018, Tahiri hoqi dorë nga mandati i deputetit dhe më pas u përball me procesin gjyqësor që përfundoi me dënimin e tij.

Në analizën e tij, Instituti i Studimeve Politike rikujton disa nga deklaratat e mëparshme të kryeministrit Rama: “Ne nuk do të bëhemi pengesë për hetimin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të akuzuar nga drejtësia”, “ne nuk jemi zyrë avokatie të askujt”, “kush ka probleme me drejtësinë të përballet vetë me të”, “partia nuk mbron të akuzuarit”.

Megjithatë, sipas institutit, qëndrimi ndryshoi gjatë debatit për mandatin e Olta Xhaçkës, kur Gjykata Kushtetuese kërkoi nga Kuvendi zbatimin e Kushtetutës. Kryeministri reagoi duke deklaruar se gjykata nuk mund të urdhërojë mënyrën se si votojnë deputetët, pasi vota e tyre është sovrane.

Sipas ISP, aktualisht në rastin e Belinda Ballukut mazhoranca ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, por sinjalet politike kanë lënë të kuptohet se kërkesa e SPAK mund të refuzohet.

Instituti thekson se shqetësimi kryesor nuk lidhet me fajësinë apo pafajësinë e zyrtarëve në fjalë, por me mënyrën se si parlamenti dhe partitë politike reagojnë ndaj kërkesave të drejtësisë për hetimin e zyrtarëve të tyre.

Sipas ISP, nëse deputetët refuzojnë të hetohen – veçanërisht kur vendimi merret nga mazhoranca qeverisëse – mesazhi që u përcillet qytetarëve është se parimi i barazisë para ligjit nuk zbatohet njësoj për të gjithë dhe se zyrtarët më të fuqishëm mund të mbeten të mbrojtur nga hetimi.

Instituti i Studimeve Politike njofton se po monitoron ecurinë e procesit dhe vendimmarrjet institucionale në kuadër të nismës për integritetin në politikë dhe zbatimin e standardeve të dekriminalizimit.

Kjo nismë mbështetet nga National Endowment for Democracy, ndërsa ISP rekomandon që Kuvendi i Shqipërisë të zbatojë standardet e vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Parlamenti Evropian, ku zyrtarët nën akuzë përballen me drejtësinë pa përfituar nga mbrojtja politike apo imuniteti parlamentar.

Sipas institutit, nëse një zyrtar shpallet fajtor, ai duhet të përballet me ligjin; nëse shpallet i pafajshëm, fiton besueshmëri publike. Në të dy rastet, thekson ISP, demokracia bëhet më funksionale dhe më e besueshme.

Reagimi i Institutit të Studimeve Politike:

“Ne nuk do të bëhemi pengesë për hetimin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të akuzuar nga drejtësia”, “ne nuk jemi zyrë avokatie të askujt”, “kush ka probleme me drejtësinë të përballet vetë me të”, “partia nuk mbron të akuzuarit”. Këto janë disa nga deklaratat ndër vite të kryeministrit Edi Rama lidhur me raste flagrante të zyrtarëve të akuzuar nga drejtësia. Megjithatë ai ndryshoi qëndrim në 2023 dhe 2024 kur Kuvendi duhej të vendoste lidhur me papajtueshmërinë e mandatit për ish-ministren O.Xh., deputete edhe në legjislaturën aktuale. Kur Gjykata Kushtetuese i kërkoi Kuvendit zbatimin e Kushtetutës kryeministri e refuzoi, “Gjykata Kushtetuese nuk mund të urdhërojë se si votojnë deputetët, është e pamundur. Është teorikisht dhe teknikisht e pamundur. Sepse vota e çdo deputeti është sovrane”. Vendimi i tij ishte edhe vendim i shumicës parlamentare.

Çështja Xhaçka u arkivua, por më shumë se ajo, parlamenti ka hyrë në një fazë të re, ku nga retorika e mëparshme për respektimin e të drejtës është kaluar tek retorika anti SPAK për refuzimin e hetimeve. Rasti më flagrant është ai i zv/kryeministër Balluku, proces që pas konsumimit të vendimmarrjes parimore në Gjykatën Kushtetuese, vijuan prej muajsh në parlament.

Tabela ilustron rastet më të njohura të heqjes së imunitetit, – në aspektin procedural dhe politik rasti Tahiri duket se ngjan me rastin Balluku, mazhoranca e mori në mbrojtje disa muaj para se akuzat të përshkallëzoheshin dhe ai të dorëhiqej për të përfunduar i dënuar me burg.

Në rastin Balluku mazhoranca ende nuk ka një vendim, por indirekt është paralajmëruar refuzimi i kërkesës së SPAK. Pa hyrë në interpretime lidhur me fajësinë ose jo të zonjës Balluku, shqetësimi kryesor lidhet me rolin dhe qasjen e parlamentit dhe partive politike ndaj imunitetit dhe zyrtarëve të tyre të akuzuar për korrupsion ose shpërdorim të detyrës.

Nëse në një demokraci deputetët refuzojnë të hetohen, sidomos nëse refuzimin vjen nga mazhorancat qeverisëse, mesazhi që marrin qytetarët është se koncepti i barazisë para ligjit nuk vlen dhe se më të pushtetshmit janë imun ndaj hetimeve. Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke monitoruar ecurinë e procesit të hetimit dhe vendimmarrjet institucionale, si pjesë e angazhimit të tij për jetësimin e parimeve të dekriminalizimit dhe integritetit në politikë, për zyrtarë të pastër dhe politikë të pastër.

Nisma mbështetet nga National Endowment for Democracy (NED). Në këtë rol ISP rekomandon që Kuvendi i Shqipërisë të aplikojë standardet e vendeve të BE-së, përfshirë ato të parlamentit europian, ku çdo zyrtar nën akuzë përballet me drejtësinë, pa përfituar nga mbrojtja politike dhe imuniteti parlamentar. Nëse zyrtari i akuzuar del i fajshëm përballet me ligjin, nëse del i pafajshëm fiton kredibilitet dhe në të dy rastet demokracia bëhet më e besueshme, më funksionale.

Refuzimi apriori i hetimit, barazisë përpara ligjit dhe standardit të llogaridhënies, përbën devijim serioz nga konceptet e shtetit të së drejtës, dhe një akt minues për besimin te demokracia.

Nga “nuk mbrojmë askënd” tek përplasja me

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.