Dosja Balluku, biznesmeni Alban Eftimi përfundon në SPAK
Biznesmeni Alban Eftimi, i lidhur me kompaninë “Atelier 4”, është paraqitur këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku është marrë në pyetje në kuadër të hetimeve që lidhen me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Sipas burimeve të raportuara për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala, Eftimi ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve të SPAK, ndërsa paraqitja e tij vjen pas kontrolleve të zhvilluara në ambientet e kompanisë që ai përfaqëson.
Kontrollet në “Atelier 4” u kryen në fund të muajit korrik. Gjatë aksionit, hetuesit e posaçëm sekuestruan dokumente dhe materiale të ndryshme, të cilat dyshohet se mund të kenë rëndësi për hetimin në zhvillim.
Një prej elementëve që po verifikohet lidhet me një projekt arredimi të një vile luksoze në jug të vendit. Dokumentacioni i sekuestruar tashmë po analizohet nga prokurorët dhe po krahasohet me të dhëna, dokumente dhe prova të tjera të administruara gjatë hetimit.
Vila në Dhërmi në fokusin e hetuesve
Në qendër të verifikimeve ndodhet edhe një vilë në Dhërmi, e cila është sekuestruar më herët nga autoritetet. Sipas dyshimeve që po hetohen, bëhet fjalë për një pasuri që mund të jetë e padeklaruar dhe që mund të ketë lidhje me Belinda Ballukun.
Hetuesit po analizojnë në mënyrë të detajuar dokumentacionin dhe rrethanat që lidhen me pronën, ndërsa një nga pistat e hetimit është edhe origjina e pasurisë dhe mënyra se si ajo është krijuar apo administruar.
Hetimi i SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministres përfshin dyshime për korrupsion dhe pastrim parash. Krahas këtyre elementëve, prokurorët po verifikojnë edhe rrethana të tjera që mund të kenë lidhje me pasuritë, aktivitetet dhe personat e përfshirë në çështje.
Balluku, e pandehur edhe për çështjen e tenderave
Belinda Balluku është gjithashtu e pandehur në një procedim tjetër penal, ku përballet me akuzën për shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike.
Kjo çështje lidhet me procedurat e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, si edhe me lotet e Unazës së Jashtme të Tiranës.
Paraqitja e Alban Eftimit në SPAK dhe materialet e sekuestruara në kompaninë “Atelier 4” pritet të jenë pjesë e verifikimeve që prokurorët po kryejnë për të zbardhur lidhjet dhe rrethanat e kësaj dosjeje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



