Ngacmimi mes të rinjve përfundoi me tragjedi në Klos
Si u përshkallëzua konflikti që shkaktoi tre viktima! Babë e bir shkuan të sqaroheshin…
Një ngacmim i nisur mes disa të rinjve është kthyer në një tragjedi për dy familje në Klos të Burrelit mesditën e sotme.
Dyshimet janë se Fiqiri Mjeshtri bashkë me dy vëllezërit e tij Fatmirin dhe Besnikun do të takoheshin me Ilir Shirën dhe Eglantin Hasulën baxhanakë me njëri-tjetrin, bashkë me djemtë e tyre në mënyrë që të sqaronin konfliktin që kishte nisur për shkak të fëmijëve.
Gjatë debatit në një lokal në qendër të Klosit, situata është përshkallëzuar duke bërë që vëllezërit Mjeshtri të nxjerrin armët.
Sipas të dhënave ka qenë Fiqiri Mjeshtri, babai i vajzës që ata pretendonin se ngacmohej nga djemtë e palës tjetër, ai që dyshohet se ka qëlluar me armë në drejtim të babë e bir, Ilir dhe Kenado Shira.
Ky i fundit ndërroi jetë në vendin e ngjarjes ndërsa i ati humbi jetën rrugës për në spital për shkak të plagëve të rënda.
Nga ana tjetër plumbat kanë kapur edhe Eglantin Hasulën bashkë me djalin e tij të mitur Renato Sula 14-vjeç. Ata janë dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë, ku aktualisht ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Pas ngjarjes së rëndë që tronditi qytetin e Klosit, autori kryesor i ngjarjes i cili dyshohet se ka qëlluar në drejtim të viktimave ka vrarë veten ndërkohë që dy vëllezërit e tij janë shoqëruar nga policia dhe po merren në pyetje në lidhje me këtë krim.
Tashmë grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat po vijon punën për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



