Nis plotësimi i formularit A1 për Maturën Shtetërore 2026
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u është drejtuar sot maturantëve me një mesazh informues dhe motivues, duke njoftuar nisjen e procesit të plotësimit të formularit A1, përmes të cilit nxënësit zgjedhin lëndët me zgjedhje për provimet e Maturës Shtetërore 2026.
Në fjalën e saj, ministrja theksoi se ky është një vendim me rëndësi të veçantë, pasi zgjedhja e lëndëve ndikon drejtpërdrejt në orientimin akademik dhe rrugën e studimeve të mëtejshme. Ajo u bëri thirrje maturantëve që të mos nxitojnë, por të këshillohen me mësuesit dhe prindërit përpara se të marrin vendimin përfundimtar.
“Është një vendim që duhet menduar mirë. Këshillohuni me mësuesit tuaj dhe me familjen, sepse zgjedhja që bëni sot do të ndikojë në fazën tjetër të studimeve tuaja,” u shpreh Kumbaro.
Ministrja sqaroi gjithashtu se për maturantët e viteve të mëparshme do të përdoret formulari A1Z, i cili do të plotësohet në datat 10 dhe 11 shkurt. Ajo bëri me dije se strukturat arsimore në të gjithë vendin janë angazhuar për të ofruar mbështetje dhe asistencë për çdo aplikues.
Sipas Kumbaros, Drejtoritë Rajonale Arsimore, zyrat arsimore dhe shkollat do të jenë në dispozicion të maturantëve në ditë të përcaktuara, sipas ndarjes rajonale, për t’i ndihmuar gjatë procesit të aplikimit. Në këtë angazhim përfshihen mësuesit, drejtuesit e shkollave, si dhe drejtuesit e institucioneve arsimore vendore.
Procesi i plotësimit të formularit A1 ka nisur nga sot dhe u jep maturantëve mundësinë të përcaktojnë lëndët me zgjedhje për provimet përfundimtare të Maturës Shtetërore 2026, një hap kyç në planifikimin e së ardhmes së tyre akademike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



