Nje tjetër grua në krye të SHISH?
Qarkullon emri i Esmeralda Hasanit për drejtimin e SHISH, por Presidenca: Nuk ka asnjë propozim nga Rama
Në orët e fundit po qarkullon gjerësisht lajmi se Esmeralda Hasani pritet të emërohet drejtoreshë e re e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH). Sipas këtyre informacioneve, Kryeministri Edi Rama e ka propozuar emrin e saj dhe propozimi i është dërguar Presidentit Bajram Begaj për dekretim.
Por redaksia e Publik.al mësoi nga burime të Presidencës se deri tani në Presidencë nuk ka mbërritur asnjë propozim nga Kryeministri Rama për këtë emër. Pra, lajmi që po qarkullon nuk konfirmohet nga institucioni që duhet të nënshkruajë dekretin.
Posti i drejtorit të SHISH mbetet në qendër të vëmendjes pas largimit të Vlora Hysenit. SPAK lëshoi për Hysenin urdhër arresti, e akuzuar për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit” në kuadër të hetimeve për AKSHI-n. Ajo dyshohet se ka ndihmuar biznesmenin Ergys Agasi, i arrestuar më 26 gusht si kreu i dyshuar i një grupi kriminal në aferën e AKSHI-t.
Hyseni u vetëdorëzua në policinë kufitare në Morinë më 22 shtator. Dje, Apeli i GJKKO nuk pranoi ankimimin e saj dhe la në fuqi masën e arrestit në shtëpi.
Sipas ligjit, drejtori i SHISH emërohet me dekret të Presidentit, me propozim të Kryeministrit. Kështu ndodhi edhe me Hysenin: Rama e propozoi më 17 mars 2023 dhe Begaj e dekretoi më 3 prill 2023.
Publik.al do të vijojë të ndjekë zhvillimet për emërimin e drejtuesit të ri të shërbimit sekret.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



