Njihuni me shqiptaren që kandidon në zgjedhjet lokale në Londër
Një përfaqësuese e komunitetit shqiptar, Anila Skeja, do të jetë pjesë e zgjedhjeve lokale që zhvillohen në muajin maj në Mbretërinë e Bashkuar, ku ajo kandidon nën siglën e Partisë Konservatore, forcë politike e qendrës së djathtë.
Skeja garon për një vend në këshillin komunal të Barnet-it në Londër, ndërsa kandidatura e saj ka marrë vëmendje edhe në Shqipëri. Të dielën, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e ka përshëndetur publikisht këtë zhvillim përmes një reagimi në rrjetet sociale.
Në mesazhin e tij, Balla shpreh krenarinë për rolin dhe angazhimin e shqiptarëve në Angli, një komunitet që, sipas tij, prej kohësh është përballur me sulme të padrejta dhe narrativa të ekzagjeruara në opinionin publik britanik.
Ai thekson se kandidimi i Anila Skejës për Partinë Konservatore – partinë e figurave historike si Winston Churchill dhe Margaret Thatcher – përbën një përgjigje domethënëse ndaj këtyre sulmeve. Sipas Ballës, shqiptarët në Britani po tregojnë përmes veprimeve konkrete se janë të integruar dhe të gatshëm të marrin përgjegjësi përfaqësimi në nivele të ndryshme.
Duke e zgjeruar më tej mesazhin, ai përmend se në Angli, Skoci dhe Uells ka edhe shumë bashkëkombës të tjerë që po angazhohen politikisht në parti të ndryshme, ndërsa disa prej tyre, si Andi Hoxhaj, janë vlerësuar edhe me tituj zyrtarë nga vetë Mbreti Charles.
Sipas Ballës, shqiptarët po spikasin në fusha të ndryshme si ekonomia, ndërtimi, sporti, arti dhe kultura, duke dhënë një kontribut të dukshëm në shoqërinë britanike. Në fund, ai u bën thirrje shqiptarëve që jetojnë në zonën e Barnet-it të mbështesin kandidaturën e Anila Skejës në zgjedhjet e ardhshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



