E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Non Grata nga Greqia, reagon sërish Aulon Kalaja
Lajme

Non Grata nga Greqia, reagon sërish Aulon Kalaja

“Më quajtën rrezik kombëtar, 100 masa të tilla nuk më ndalin”

Aulon Kalaja, ish-kandidat i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht aktivist e gazetar, ka bërë me dije se autoritetet greke e kanë shpallur të padëshiruar në territorin e tyre. Lajmin e ka ndarë vetë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku tregon edhe arsyet që, sipas tij, kanë çuar në këtë vendim.

Kalaja shprehet se, megjithëse ka kërkuar prej vitesh një sqarim zyrtar nga autoritetet greke, nuk ka marrë asnjë përgjigje. Sipas informacionit të siguruar në mënyrë joformale, ai pretendohet se është cilësuar rrezik për sigurinë kombëtare dhe akuzohet për racizëm — akuza që ai i mohon kategorikisht.

Në deklaratën e tij, ai nënvizon dy momente që, sipas tij, mund të kenë ndikuar në vendimin e Greqisë:
(1) Organizimi i protestave kundër marrëveshjes detare mes dy vendeve, në kohën kur kryeministrat Rama dhe Tsipras po negocionin për kufirin detar. Ai kujton se bashkë me aktivistë të tjerë ka mbajtur një sërë protestash në Tiranë dhe qytete të ndryshme të vendit, duke kërkuar transparencë, reciprocitet dhe dërgimin e marrëveshjes në Gjykatën Kushtetuese.
(2) Realizimi i një dokumentari për vrasjet e shqiptarëve në Greqi, në kufi, në burgje dhe në komisariate policie. Ai ndalet veçanërisht tek rasti i Pëllumb Marnikollajt, për të cilin pretendon — bazuar në intervista dhe dëshmi — se nuk është vetëvrarë, siç përmendi policia greke, por është dhunuar brenda komisariatit.

Kalaja tregon se masa “non grata” i është komunikuar në korrik të vitit 2019, në pikën kufitare të Kakavijës. Ai shton se pavarësisht përpjekjeve për të nisur një proces gjyqësor në Greqi, asnjëri nga tre avokatët që ka angazhuar nuk ka pranuar të vazhdojë çështjen pasi kanë kontaktuar autoritetet greke.
Po ashtu, ai shpjegon se nuk mund t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut pa u ezauruar më parë gjykata greke, gjë që e ka bërë të pamundur ndjekjen e rrugës ligjore.

Në kufi, sipas tij, forcat e Frontex-it i kanë konfirmuar se nuk figuron i bllokuar në sistemin Schengen, por se ndalimi vlen vetëm për territorin grek, dhe vetëm në regjistrin e brendshëm të atij shteti.

Kalaja thotë se e ka marrë vesh rastësisht për këtë masë, teksa udhëtonte për pushime drejt Lefkadhas me familjen, ku në doganë iu vu në pasaportë vula “Non Grata”, ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes kaluan pa probleme.

Ai e cilëson vendimin e Greqisë të padrejtë dhe politik, duke theksuar se nuk ka shkelur ligjet dhe nuk ka bërë deklarata apo gjeste raciste. Sipas tij, ky është një dëm i rëndë moral, që cenon dinjitetin e tij.

Në fund, ai njofton se do të vazhdojë çdo hap ligjor të mundshëm për të zbardhur çështjen dhe për të kërkuar drejtësi ndërkombëtare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.