“Nuk meritoj të jetoj”, dëshmia e shoferit pas tragjedisë në Durrës
Një aksident me pasoja të rënda ka tronditur qytetin e Durrësit mesditën e kësaj të diele, ku humbën jetën dy fëmijë, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje kritike në Spitalin e Traumës.
Autori i ngjarjes, 57-vjeçari Nikollë Radaçi, është marrë në pyetje nga grupi hetimor në dy raste. Burime bëjnë me dije se në momentin e parë ai ka qenë në gjendje të rënduar emocionale dhe nën efektin e alkoolit, çka ka vështirësuar komunikimin me hetuesit. “Më vrisni, nuk meritoj të jetoj”, mësohet të ketë nisur dëshminë para policisë
Gjatë dëshmisë së tij, mësohet se ai ka pranuar se kishte konsumuar alkool para se të drejtonte mjetin, ndërsa ka deklaruar se nuk mban mend momentin e aksidentit. Gjithashtu, ai është shfaqur i tronditur nga pasojat tragjike të ngjarjes.
Sipas informacioneve nga banorët e zonës, 57-vjeçari kishte krijuar më herët shqetësime të vazhdueshme për shkak të mënyrës së rrezikshme të drejtimit të automjetit. Ata pretendojnë se kishin bërë disa herë denoncime pranë policisë për shpejtësi të lartë dhe drejtim në gjendje të dehur.
Madje, vetëm një ditë para aksidentit, një incident i mundshëm ishte shmangur në momentet e fundit nga një banor së bashku me nipin e tij të mitur. Po ashtu, bëhet e ditur se ndaj drejtuesit të mjetit janë marrë më parë masa administrative, përfshirë edhe heqjen e lejes së drejtimit në dy raste për shkak të shkeljeve të ngjashme.
Për banorët e zonës, kjo ngjarje nuk ishte e papritur, por një tragjedi e paralajmëruar nga sjelljet e përsëritura dhe të rrezikshme në rrugë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



