Nxorri tezën e provimit Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, përjashtohet maturanti në Kukës
Një incident është regjistruar gjatë zhvillimit të provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në kuadër të Maturës Shtetërore 2026, ku një maturant në Kukës është përjashtuar pasi u kap duke fotografuar tezën.
Sipas informacioneve zyrtare, rasti është konstatuar gjatë kohës që po zhvillohej testimi, duke sjellë reagimin e menjëhershëm të administratorëve të provimit, të cilët kanë zbatuar rregulloren përkatëse duke e larguar nxënësin nga gara.
Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit bën me dije se procesi në shkallë vendi po vijon pa probleme dhe nën masa të forta sigurie. Provimi i dytë i maturës po zhvillohet në 144 qendra testimi, ku marrin pjesë mbi 26,600 maturantë.
Institucioni thekson se të gjitha procedurat janë duke u zbatuar në mënyrë rigoroze, në përputhje të plotë me rregullat e Maturës Shtetërore, duke garantuar transparencë dhe standarde të larta në proces.
Në lidhje me publikimin e imazheve të tezës në rrjetet sociale, autoritetet sqarojnë se fotografia është realizuar pasi provimi kishte nisur dhe nuk cenon integritetin e përgjithshëm të testimit. Megjithatë, shkelja është trajtuar sipas rregullores, duke çuar në përjashtimin e menjëhershëm të maturantit përgjegjës.




Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



