O Zot, hiqja mallkimin tand popullit shqiptar!

 BESIM NDREGJONI  

Sot mbushen 32 vite nga dita e 22 marsit 1992, kur sheshi “Skënderbej” ushtonte me thirrjet e 2 milionë shqiptarëve “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” një andërr sa e gëzueshme për mijëra familje shqiptare që e kishin paguar lirinë me gjak, me kufoma dhe që kishin besuar në idealet e tyre, që dita do të vinte që të vrarët nga diktatura do të gjenin qetësi, kjo ditë ishte e trishtueshme vetëm për xhelatët e komunizmit. Për herë të parë, shqiptarët votonin të lirë. Për atë votë që kishin sakrifikuar jetën e tyre. Në sytë e përhumbur gjysmë shekulli, shqiptarët panë gëzimin e kësaj dite, kur e djathta e masakruar e lodhur nga gjenocidi komunist shihte atdheun e vet drejt Europës, drejt lirisë, drejt së ardhmes euroatlantike. Se revolucioni antikomunist “triumfoi” dhe ne shqiptarët besuam në vërtetësinë e datës 22 mars 1992.

Besueshmëria te Partia Demokratike nga ne antikomunistët ishte e madhe, ne besonim se do të fillonin proceset gjyqësore ndaj krimeve të komunizmit, edhe sot mbas 32 viteve kërkohet të dënohen krimet e komunizmit me ligj, kërkesë që është mbështetur edhe nga komunitetet fetare, por opozita shqiptare, siç ka vepruar për 32 vite, vazhdon heshtjen duke iu bashkuar partisë së diktatorit, këto krime të mos dënohen. Do të dënohej Partia e Punës së Shqipërisë si një organizatë kriminale, që kishte kryer gjenocide ndaj shqiptarëve me forcën e dhunës dhe për shkatërrimin e dokeve dhe zakoneve shekullore. Pronarët e vërtetë do të gëzonin pronën e tyre.

Që qëndrestarët antikomunistë, të shkatërruar deri në tri breza jo vetëm do të kishin trajtim njerëzor, por edhe do të ishin në bashkëqeverisjen e vendit në një sistem demokratik, për të ndërtuar Shqipërinë e re, të lirë dhe “demokratike” parulla famëkeqe “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor” u shndërrua në një angazhimin total të kapjes së shtetit nga agjentët e Sigurimit të shtetit dhe të privilegjuarit e diktaturës. Kur ne pritshim të hapeshin dosjet e xhelatëve komunistë që shoqëria të njihej me krimet makabre, pushteti i ashtuquajtur “demokratik” filloi të nxirrte dosjet e viktimave të torturuara me metoda çnjerëzore nga Sigurimi i Shtetit komunist. Nxorën jashtë ligjit një Parti Komuniste që ishte krijuar në 1991 dhe duartrokitën ndërrimin e emrit të Partisë Punës Shqipërisë në Parti Socialiste.

Vunë në zbatim ligjin 7501, që ua hiqte të drejtën pronarëve dhe ua kalonte pronësinë ish-komunistëve që e kishin shkatërruar pronën. E quajtën “ hakmarrëse” fjalën e profesor Arshi Pipës që kthehej në atdhe mbas 4 dekadash, kur ai deklaroi në Rinas se Byroja Politike dhe drejtuesi i saj, Ramiz Alia, duhet të dënohen për krime çnjerëzore, që kishin ushtruar ndaj popullit shqiptar. Institucionet e shtetit demokratik u zëvendësuan me elementet më të privilegjuar të diktaturës komuniste. Ndaj shtresës që kishte vuajtur u përdor e gjithë makineria shtetërore që ta paraqitshin dhe para ndërkombëtarëve se me këta duhet pasur kujdes se këto do të marrin “hak” dhe mbas një greve urie që zhvilluan të burgosurit politikë, ata përdorën dhunën njëlloj si paraardhësit e tyre komunistë, dhe për punën e papaguar që kishin kryer në kampet e përqendrimit të Spaçit, e Qaf-Barit, ata dhanë letra me vlerë, kurse për të privilegjuarit komunizmit u privatizuan pallatet me një shumë qesharake, duke i bërë pronarë të ligjshëm me nga 100 dollarë hyrjet, kurse pronarët e vërtetë i degdisën nëpër gjykata duke i u lënë tapitë në duar dhe duke u pasuruar gjyqtarët e komunizmit.

Asnjë të mbijetuar të diktaturës nuk e lejuan dhe vazhdojnë të mos e lejojnë që të drejtojë institucionet shtetërore apo kushtetuese. Lufta e klasave mori përmasa “demokratike” jo më në emër të partisë, por në emër të shtetit “demokratik”. Kur ne pritshim që xhelatët të jepnin llogari para gjyqit, ata jepni llogari sa kafe kanë harxhuar. Kur ne pritshim të dënoheshin me ligj krimet e komunizmit, udhëheqja përdorte sloganin “Poshtë komunizmi” dhe Partia Komuniste e kthyer në Socialiste trumbetonte çdo ditë se asaj po i shkeleshin të drejtat dhe liritë e njeriut. Shoqëria civile u kamufluar në një rrip transmensioni për të mbrojtur Partinë Komuniste Socialiste.

Partia Demokratike dhunonte çdo të drejtë që kishin antikomunistët, duke i quajtur ekstremistë dhe me këtë veprim mbronte platformën djallëzore për të mos u dënuar me ligj diktatura komuniste. Ne sot jemi kthyer në një popull të pafuqishëm nga një pamundësi e detyruar për të ndryshuar këtë gjendje ku jemi, nga deformimi i vazhdueshëm i votës dhe nga kornizat e hekurta që ka krijuar sistemi në përcaktimin e saj. Me marrëveshjen e 2008-ës u hoq dhe pluralizmi, dhe vota e lirë. Ky sistem zgjedhjesh u bë terren i favorshëm për lindjen, vegjetimin e harlisjen e komunizmit “demokratik”, i cili sot harbon pa zot, i shpenguar në shkretëtirën saharjane të politikës shqiptare. Knejna, letërsinë na e bëjnë grafomanët, OJQ-të na i kryesojnë militantët e komunizmit, politikën banditët, ekonominë mafia, hajninë nëpunësit, mitomanët na mbahen për dijetarë, grafomanët për shkrimtarë, gazetat dhe televizionet i kemi plot me horra që mburrin veten dhe njëri-tjetrin.

“…Katrahura politike që ngriti kokën mbas shembjes së turpshme të komunizmit ashte nji plagë e randë, por kalimtare. Shqipëria meriton ma shumë se tërheqja e ‘karriges’ në pushtet dhe përfitimi nga korrupsioni. Shqipëria meriton nji shtet e nji shoqëni të lirë, të lirë nga frika, sidomos frika qeveritare dhe të lirë nga uria, papunësia dhe varfëria… Shqipëria meriton nji sistem politik të hapët, transparent dhe plot respekt për çdo qytetar të lirë. Shqipëria meriton nji emën që të respektohet nga bota e jashtme. Shqipëria meriton këtë respekt, sepse e ka pague randë detyrën që vuni mbi shpatullat e saj nji histori e egër e imponueme mbi shqiptarët pa pëlqimin e tyne. Shqipëria meriton nji të ardhme të lumtun e premtuese, sepse ka derdhë gjakun si lumë. Por kjo përgjigje, kurdoherë që të vijë, duhet të jetë e përgjithshme, universale në kuptimin e saj.

Nji përgjigje që ka përmasa thjesht personale ashte ‘e kufizueme’ dhe mohon karakterin e universalitetit të ‘së keqes’ së madhe që quhet komunizëm. Megjithatë, ky qytetnim që dëshirojmë, kërkon dënimin e krimit, ndëshkimin e kriminelit dhe vendosjen e një drejtësië që siguron barazinë për të gjithë, pa përjashtim. Këtu qëndron kyçi i pakenaqësisë së thellë që kemi të gjithë: drejtësia në Shqipëri ka dështue, krimi nuk ashtë dënue, e krimineli shëtit i lirë në qytetet e fshatrat tona pa frikën e përgjegjësisë për aktin e tij kriminal. ‘Pushteti’ i vendosun ka tradhtue njenën nga detyrat ma themelore të qeverisjes: zbatimin e drejtësisë kundër krimit komunist. Në këtë pikë nuk ka vend diskutimi.

Me lejue kriminelët komunistë të jetojnë pa dhanë llogari të krimeve monstruoze që kanë krye në kurriz të popullit tonë, don të thotë me mohue ekzistencën e këtyne krimeve, don të thotë se nuk ka pasë rezistencë antikomuniste, nuk ka pasë të arrestuem, të torturuem, të denuem, të internuem, nuk ka pasë mbi 10.000 të pushkatuem, që sot nuk kanë një varr. Kjo nuk ashtë Shqipëria për të cilën kemi luftue. Kjo nuk ashtë Shqipëria demokratike, Shqipëria e qytetarit të lirë për të cilën ne kemi andrrue”. 22 mars 2024, plot 32 vite mashtrim popullit shqiptar nga kjo klasë politike, që s’ka asgjë të përbashkët me demokracinë. Sot në këtë 22 mars na vijnë në mendje thirrja e Nanës Terezë, e cila sot është e Shejta Terezë, kur në Rinas, në vitin 1997 tha: “O Zot, hiqja mallkimin tand, popullit shqiptar”!

Publikuar nga Publik Media