Oerd Bylykbashi: Programi i qeverisë ose manuali i perdorimit të tepsisë bosh të Edi Ramës
Edhe manuali i lavatriçes sime ka më shume brendi e detaje. Sot keni perpara manualin perdorimit te tepsise bosh te Edi Rames. 25 faqe boll i ka. Madje po të heqësh faqet bosh dhe faqet për të shkuarën, programi është vetëm 16 faqe.
Ky program sot është kërkesë për carta bianca. Politika ka në themel dhënien e llogarisë për atë që ke premtuar. Por me këto 16 faqe, Kryeministri nesër mund të bëjë ç’të dojë dhe asnjë shqiptar nuk i kërkon dot llogari sepse në këtë program nuk ka asgjë. Ju deputetëve te PS këtu nuk ju ka për llogaridhënie, por vetëm për numër.
Ai që në 2013 solli në politikë kriminelët, sot po rikthen hijet e krimeve të komunizmit.
Në mesin e viteve 60, Gjermania filloi të dënonte zyrtarët nazistë për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, 20 vjet pas luftës. Gati gati si të fillojmë të dënojmë ne sot kriminelët e komunizmit.
Nëse 27 vite pas kapitullimit të Gjermanisë naziste, në krye të parlamentit gjerman apo në radhët e qeverisë gjermane do të ulej qoftë edhe një prej ministrave të Rajhut, apo ndonjë fëmijë i tyre, kjo do të përbënte skandal në Gjermaninë që ishte në mes të procesit të denazifikimit.
Atje kjo nuk ndodhi sepse po zbatohej denazifikimi. Këtu tek ne, dekomunistizimi që nisi pas 1992 u ndërpre nga ju ne 1997 dhe nuk u bë më kurrë. Kurrë ata që ishin përgjegjës nuk kërkuan falje, po vetëm penguan dhe tanimë kanë filluar të krenohen hapur.
Pas 27 vitesh në letargji nën akullin e indiferencës dhe rrëmujës së tranzicionit, zombit e kohës së komunizmit po ngrihen.
Me këtë që po bën Edi Rama duke ngritur në pushtet ata që dhanë urdhëra, zbatuan urdhëra kriminalë apo ata që krenohen me trashëgiminë e afërt familiare, po i bën thirrje së keqës që flinte në letargji në subkoshiencë e papastruar kurrë. “Po vijmë në fron përsëri, çunat tanë janë përsëri në majë të pushtetit”. Ky është kumti i zi i Edi Ramës.
Një politikan hungarez ka thënë: një nga të këqiat më të mëdha të komunizmit është ajo që vjen më pas. Ne jemi sot në mes të kësaj të keqeje.
Nuk po flas për komunizmin si sistem, ai vdiq. Po flas për të keqen dhe krimet e komunizmit nga të cilat nuk jemi ndarë. Rreth 7000 vetë, apo mesatarisht 20 vetë për çdo ditë të kalendarit të një viti, janë vrarë apo kanë vdekur në burgje e kampe. Kemi një kalendar martirësh të lirisë, por për turpin tonë, nuk kemi asnjë të dënuar për këto krime.
Këshilli i Eurpës i barazon krimet e komunizmit me ato të nazizmit, i quan krime kundër njerëzimit. Ka një nen për këtë në kod penal. Ne krime naziste nuk kemi, por krime të komunizmit kemi me mijëra, ama nuk kemi asnjë të dënuar.
Gjermania filloi t’i dënonte nazistët njëzet e ca vite pasi ranë nga pushteti. Në 2016 Rumania dënoi për krime kundër njerëzimit një 90-vjeçar kriminel komunist. Pra jemi në kohë ta nisim pastrimin nga e keqja me tehun e drejtësisë.
Përtej hapjes së dosjeve dhe lustracionit, shqiptarët kanë nevojë të pastrojnë ndërgjegjen e shoqërisë jo me hakmarrje, por me bisturinë e drejtësisë.
Ka ardhur koha të ngremë një institucion që mbledh prova, gjurmon dhe heton kriminelët e komunizmit, nga maja e shtetit deri tek skutat e humbura e t’i dënojmë pa llafe, por me prova për ata që vdiqën e shpesh janë pa varr. Dhe në këtë institucion nuk duhet të infiltrojnë ata që krenohen me ato që kanë bërë vetë, prindërit apo gjyshërit e tyre.
Zgjedhjet
Para se të flasësh për qeverisje duhet të flasësh për zgjedhjet. 25 qershori është një ditë që zhyti themelet e këtij parlamenti në llucën e krimit. Në vitin 2015, nga ky podium thashë se nëse nuk luftohej korrupsioni politik i financuar nga paraja e krimit dhe drogës dhe nga paraja e korrupsionit, duhej t’i harronim zgjedhjet e 2017.
Për fat të keq, zgjedhjet e 2017 vërtetuan plotësisht këtë frikë. Shitblerje vote, korruptim komisionerësh, presion mbi zgjedhësit dhe administratën, përdorim i burimeve të administratës, përdorim masiv i bandave kriminale dhe rrjeteve te narkotrafikut për të financuar shitblerjen dhe bërë presion, etj, janë fakt, i pohojnë të gjithë, por asgjë nuk ndodh.
Durrësi është kryeqyteti i makinerisë korruptive dhe kriminale zgjedhore. Simbioza e pushtetit politik të mëkëmbësit të Ramës me krimin është e plotë dhe kriminelët i thërrasin si shërbëtorë zyrtarët publikë deri në nivelet më të larta të pushtetit në Durrës.
Durrësi sot është kryeqyteti i krimit të organizuar, qytetarët kanë frikë të flasin edhe kur prona u merret me presion. U çohet kontrata e shitjes së pronës së tyre me çmimin e vendosura nga kriminelët dhe qytetarët kanë frikë të hapin gojën. Bandat po ndajnë zonat e influencës dhe punët publike si dhe trojet e ndërtimit në qytet. Ky është haraçi për ndihmën që ju dhanë në zgjedhje.
Këshilli i Europës në raportin e pregatitur për Asamblenë Parlamentare, dënon praktikën e përhapur të shitblerjes së votës, presionin mbi administratën dhe zgjedhësit dhe keqpërdorimin e aseteve dhe pushtetit shtetëror dhe kërkon masat e duhura për t’I ndalur këto parregullsi të rënda në mënyrë që të rikthehet besimi I zgjedhësve.
Më keq se kaq nuk ka. Në dorën e zyrtarëve që presin plotësimin e pesë prioriteteve për integrimin europian, një njollë e tillë rihap një prioritet të mbyllur në vitin 2013 nga qeveria Berisha.
Shqipëria ka 5 vjet që nuk ka bërë reformë zgjedhore. Së shpejti del raporti I ODIHR dhe me të bëhen 3 raunde rekomandimesh te ODIHR që nuk janë trajtuar, 2013, 2015 dhe 2017. Kjo nuk ka ndodhur kurrë, dhe turpin për këtë e mban Edi Rama. Fatos Nano bëri dy reforma konsensuale me liderin e opozitës. Sali Berisha, bëri tre reforma konsensual me liderin e opozitës. Edi Rama kryeministër nuk ka bëre asnjë. I pazoti për konsensus, mendon se rëndësi ka vetëm të fitohen zgjedhjet, por nuk ka rëndësi se si. Nëse kjo bëhet me shitblerje, ashtu qoftë.
Reforma zgjedhore eshtë prioritet absolut! Janë shpartalluar të gjitha bazat një procesi normal që u ngritën me konsensus në dekadën 2002-2012. Asgjë e tillë nuk përfshihet në programin qeverisës. Sepse Edi Ramës i intereson administrimi banal i tepsisë, ndaj sot ju sjell përpara manualin e përdorimit të tepsisë me 16 faqe.
Po reforma zgjedhore do të bëhet patjetër, përfshirë sistemin e votimit elektronik për të hequr duart e pista të administratës politike dhe kriminelëve nga vota.
Reforma territoriale
Pushteti vendor është bazament i stabilitetit demokratik. Nuk është një tufë drejtorish që mund t’i shkrish e bashkosh pa marrë parasysh këtë faktor të rëndësishëm, ekuilibrin demokratik. Harta territoriale e 2014 dërrmoi pikërisht atë stabilitet.
Harta territoriale tashmë është provuar që ishte vetëm për qëllime elektorale. Ishte vetëm nje instrument për të fituar zgjedhjet lokale e veçanërisht ato të përgjithëshme. Shihni rezultatet, në ato qarqe ku opozita zotëron bashki, rezultatin e ka fitues.
Por jo vetëm kaq, harta territoriale zhduku realitete komunitetesh të formuara në dhjetravjeçarë, u hoqi atyre shërbimet dhe i ka lënë në harresë. Shumica e fondeve shkon për paga burokratësh në qendër të bashkisë apo për bërje sheshesh në qendër të qyteteve, por asgjë për periferitë rurale apo njësi që dikur qeveriseshin vetë.
Shembull i centralizimit të pushtetit 25 vite pasi filloi decentralizimi, janë krijimi pa ligj i katër super-rajoneve nën pretendimin e modernizimit dhe efiçencës së shërbimeve. Në vend të cojmë më shumë pushtet tek pushteti vendor, po ricentralizohet nga 12 qarqet tek këto 4 super-rajone. Pra më shumë pushtet pranë qendrës dhe më pak tek qytetari. Parimi kushtetues i subsidiaritetit i duket fyes Edi Ramës.
Nëse keni ndërmend të vazhdoni me hartën që miratuat në 2014, ashtu siç deklaron Kryeministri në programin e tij, gjendja do të përkeqësohet në dëm të demokracisë vendore.
Harta territoriale duhet riparë menjëherë në konsultim me komunitetet dhe konsensus. Duhet ribërë ky gur themeli i stabilitetit demokratik.
Ose ne vendosim së bashku, tani, që ta rishikojmë ndarjen territoriale ose nëse nuk tërhiqeni, ne do ta grisim këtë hartë kur të vijë momenti! Për ta bërë këtë nuk duhet konsensusi apo pazaret me ju për 84 votat. Kur shqiptarët ta grisin këtë pacavure, ju do të jeni vetëm.
Administrata publike
Nëse ka një tipar dallues të tepsisë së hallvës që gatuat katër vite në qeverisjen e shkuar, ishte destabilizimi i administratës. E nisët me zhbërjen e konsensusit politik për ligjin e Nëpunësit Civil dhe e vazhduat me masakrën mbi administratën publike.
Sot keni shpallur riorganizimin e ministrive dhe institucioneve të varësisë, e cila do ta bëjë administratën të duket si tepsi hasudeje për të paktën një vit. Nuk më intereson fakti se ju do ta përdorni për të spastruar ose konvertuar në socialistë militantët e LSI.
Ajo që më shqetëson është destabiliteti i administratës, rënia e efiçencës, politizimi i saj i mëtejshëm, pasiguria për vedin e punës që shpesh çon në më shumë korrupsion (nën moton: vidh ç’të mundesh se nesër nuk i dihet), dhe sigurisht stanjacioni që kjo sjell.
Reforma e administratës publike është domodoshmëri për integrimin europian, por nëse ajo që bëtë para katër vjetësh nuk na paska reformuar asgjë, kjo që propozoni është formulë e sigurt për kaos. Sot Shqipëria ka nevojë për reformën e stabilizimit të administratës dhe jo çorbën që ofroni.
Reforma në drejtësi dhe reforma kushtetuese
Të gjithë i janë turrur drejtësisë si e keqja më e zezë në këtë vend. Dhe shpesh kanë shumë të drejtë. Shumë kanë vuajtur nga kjo drejtësi. Për këtë ka nisur një reformë, që do t’i trazojë ujërat e qelbur të kënetës por zor se do t’i drenojë ato.
Harrohet që drejtësia është filtri i fundit për llumin e keqqeverisjes dhe padrejtësive që prodhon administrata e korruptuar dhe e paaftë. Drejtësia jonë është filtër i bllokuar dhe i qelbur nga ky llum i administratës. Po nuk kuptuam këtë, kjo reformë drejtësie është e dështuar.
Një shqiptari i leverdis më shumë që të drejtën për pronat apo taksat ta marrë tek zyra e administratës sesa të humbasë në shkallët e gjyqësorit të reformuar. Drejtësia është garancia e fundit, jo zgjidhja fillestare.
Kemi një vit që hartuam me konsensus ndryshimet kushtetuese. Pa u tharë boja e konsensusit, ju hartuat ligjet antikushtetuese dhe zutë peng me presion Gjykatën Kushtetuese.
Një sistem drejtësie duhej t’i kishte themelet në tabanin solid të konsensusit politik kombëtar. Në fakt sot i ka në mosmarrveshje. Tërmetet do të vazhdojnë gjatë dhe ky sistem nuk do ketë stabilitet, aq më pak do të garantojë stabilitet.
Kjo nuk e shpëton dot një reformë që boshtin e saj e ka të deformuar. Keni ngritur një sistem drejtësie sui generis që nuk egziston askund tjetër, i fragmentuar e që shpejt do të hyjë në konflikt të brendshëm.
Rreziku është që ky sistem kolapson brenda 5-10 vjetësh. Nuk e shpëton kemioterapia e vetting-ut sistemin. Vettingu do të kalojë si ajo stuhia e rërës, do të vrasë kuajt e këputur, por ustallarët do mbeten në sistem sepse do të bëjnë pazar me Edi Ramën.
Ne fund të stuhisë së vetting-ut, gërmadha e sistemit të fragmentuar alla-shqiptarçe do mbetet këtu. Ja ku jemi, ka një vit dhe sistemi nuk po nis dot nga funksionimi.
Ndryshimet kushtetuese kanë zhbalancuar rëndë arkitekturën e sistemit kushtetues “check and balance”. Shteti demokratik egziston në sajë të këtyre balancave e kontrolleve të pushteteve. Prishja tyre çon në autokraci të Kryeministrit.
E vetmja kurë është rishikimi i arkitekturës kushtetuese të shtetit me një reformë kushtetuese që ta projektojë Shqipërinë për dhjetëvjeçarët e ardhshëm.
Antikorrupsioni dhe SPAK
Shqipërinë po e mbyt korrupsioni. Në katër vite ju ridefinuat korrupsionin nga një marrëveshje e fshehtë kriminale, në vendime qeverie publike që japin si konçesion tek pak duar të lidhura me Edi Ramën, çdo pasuri apo shërbim publik.
Pasi kapët institucionet e pavarura që ju kontrollojnë, po kapni edhe gjyqësorin. Ndaj sot kemi ministra që para disa vitesh qaheshin për një gjobë makine ndërsa sot kanë para që të blejnë zgjedhjet e një zone.
Ka një shpresë: quhet SPAK, dhe është i vetmi sistem institucionesh i ngritur me konsensus. Nëse vetting të nxjerr ne pension, SPAK të çon në burg për korrupsion. Por nëse SPAK bie në dorë të Edi Ramës, çdo gjë merr fund, ndaj shpresa është tek partneri ynë strategjik që nuk do ta lejojë këtë. Vetëm ashtu ministrat, deputetët, gyqtarët dhe prokurorët e korruptuar do të përfundojnë pas hekurave.
Ish pronarët
Nëse ata që i shërbyen me zell diktaturës dje, sot marrin pensione të larta, të përndjekurit janë katandisur në mizerje padinjiteti duke pritur këstet e kompensimit. Por dinjiteti nuk blihet me këste.
Por po aq poshtërim premton manuali i tepsisë së Edi Ramës për ishpronarët. Në katër vite nuk keni dhënë asnje vendim pronësie dhe asnjë lek për kompensim. I mashtroni me tituj gazetash për lista kompensimi. Katër vite të çuara dëm.
Por më e keqja është se me ligjin e ri që miratuat i keni rishpronësuar përsëri dhe ata nuk kanë asnjë shpresë veç për lëmoshën e kompenimit të pronave të cilave ua keni ulur edhe vlerën e kompensimit. Tallje më cinike nuk ka.
E përsërisim: ligji i rishpronësimit do të shfuqizohet sapo ne të vijmë në pushtet.
Tani premtoni se do rishikoni agjencitë që merren me pronat. Pra pronarët do presin përsëri katër vite të tjera deri sa të rishikoni e ndryshoni sistemin e agjencive të pronave, deri sa këto agjenci të fillojnë punën. Pra le ta marrin vesh ishpronarët se edhe këto katër vite do të fryjnë sytë duke lexuar titut e gazetave për agjencitë që reformohen por nuk do marrin asnje vendim prone.
Në përfundim, socialistët fituan një mandat në 2013 duke mashtruar dhe asgjë nga ç’premtuan nuk e realizuan. Në 2017 e rrëmbyen mandatin me paratë e drogës e të korrupsionit dhe vetëm duke folur për timon, tepsi dhe tavë.
Ky manual i tepsisë tregon se çfarë hallve po ju gatuan Edi Rama shqiptarëve për katër vitet e ardhëshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




