Fokus te mbetjet dhe turizmi sportiv në Sarandë
Një takim me fokus zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar është zhvilluar nga Kryetari i Bashkisë së Sarandë, Oltion Çaçi, me përfaqësues të Republika Çeke në Shqipëri.
Në ambientet zyrtare të bashkisë, Çaçi priti Ambasadorin çek në Tiranë, Pavel Vacek, si dhe Konsullen e Nderit, Lolita Poda, në një takim të cilësuar si produktiv dhe me interes të ndërsjellë.
Gjatë bisedës, kryebashkiaku i Sarandës vuri theksin tek prioritetet strategjike të qytetit, ku ndër më kryesoret mbeten përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve dhe zhvillimi i turizmit sportiv. Sipas tij, këta dy sektorë përfaqësojnë jo vetëm sfida, por edhe mundësi konkrete për të rritur cilësinë e jetës për qytetarët dhe për të forcuar ekonominë lokale.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit çekë shprehën gatishmërinë për të ndarë përvojën dhe ekspertizën e tyre, veçanërisht në fushën e menaxhimit të mbetjeve, ku Republika Çeke konsiderohet një nga vendet me praktika të avancuara në rajon.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe potenciali që Saranda ka për zhvillimin e turizmit sportiv, duke shfrytëzuar pozicionin gjeografik dhe resurset natyrore, si një mënyrë për të zgjatur sezonin turistik dhe për të tërhequr vizitorë gjatë gjithë vitit.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit mes pushtetit vendor në Sarandë dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke hapur rrugë për projekte konkrete dhe investime të reja në të ardhmen.