E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Operacion masiv i Interpol, mbi 3,700 persona të arrestuar, 27 në Shqipëri
Bota

Operacion masiv i Interpol, mbi 3,700 persona të arrestuar, 27 në Shqipëri

Goditje globale kundër trafikimit të qenieve njerëzore

Një aksion ndërkombëtar i drejtuar nga INTERPOL, i zhvilluar në fund të vitit të kaluar, ka sjellë rezultate të konsiderueshme në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm. Si pasojë e këtij operacioni, janë identifikuar dhe vënë nën mbrojtje 4,414 viktima të mundshme të trafikimit, ndërsa janë zbuluar 12,992 emigrantë të paligjshëm në 119 shtete të botës.

Operacioni, i koduar “Liberterra III”, u zhvillua nga 10 deri më 21 nëntor 2025 dhe përfshiu angazhimin e mbi 14 mijë punonjësve të zbatimit të ligjit. Gjatë kësaj periudhe, autoritetet kryen kontrolle të shtuara në pikat kufitare, monitorime në zona me risk të lartë dhe bastisje të synuara ndaj rrjeteve kriminale.

Sipas të dhënave paraprake, gjatë operacionit u arrestuan 3,744 persona, prej të cilëve rreth 1,800 dyshohen për përfshirje direkte në trafikimin e qenieve njerëzore dhe kontrabandimin e emigrantëve. Po ashtu, janë hapur më shumë se 720 hetime të reja penale, një pjesë e të cilave vijojnë ende.

Roli i Shqipërisë në megaoperacion

Në këtë aksion global mori pjesë edhe Shqipëria, përmes strukturave të Policisë së Shtetit dhe Interpol Tirana. Sipas njoftimit zyrtar, vendi ynë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në kuadër të operacionit, duke angazhuar 476 specialistë nga Policia Kriminale, Policia Kufitare dhe e Migracionit, si dhe nga strukturat e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Gjatë zhvillimit të operacionit, autoritetet shqiptare arritën të godasin dy grupe aktive kriminale, duke arrestuar 27 persona të përfshirë në veprimtari të paligjshme. Gjithashtu, u sekuestruan gjashtë automjete dhe rreth 20 mijë euro, të dyshuara si përfitime nga aktiviteti kriminal. Nga veprimet në terren u identifikuan dhe u trajtuan sipas ligjit 94 emigrantë, si edhe tre viktima të trafikimit të qenieve njerëzore.

Interpol Tirana ishte gjithashtu pjesë e tre skuadrave të përbashkëta hetimore të ngritura në kuadër të operacionit, ndërsa përfaqësues të Drejtorisë së Interpolit morën pjesë drejtpërdrejt në Qendrën Operacionale në Kent, Angli, duke bashkëpunuar me homologët ndërkombëtarë për shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin e veprimeve.

Prirjet e reja të krimit të organizuar

Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it, Valdecy Urquiza, ka theksuar se përtej shifrave të arrestimeve, operacioni ka nxjerrë në pah ndryshime të rëndësishme në mënyrën e funksionimit të rrjeteve kriminale. Sipas tij, këto grupe po përshtaten vazhdimisht, duke shfrytëzuar rrugë të reja, platforma digjitale dhe shtresa të cenueshme të shoqërisë, çka kërkon reagim të shpejtë dhe të koordinuar nga autoritetet.

Operacioni ka treguar se mashtrimet e lidhura me trafikimin e qenieve njerëzore vijojnë të mbeten një problem serioz, veçanërisht në Azi dhe Afrikë. Megjithatë, përmirësimi i mekanizmave të identifikimit ka ndikuar në rritjen e arrestimeve dhe riatdhesimin e qindra viktimave.

Ndërsa shfrytëzimi seksual vazhdon të dominojë statistikat, autoritetet kanë konstatuar edhe një rritje të rasteve të punës së detyruar, kriminalitetit të detyruar, shërbimit shtëpiak dhe rasteve të rënda të heqjes së organeve.

Operacioni “Liberterra III” ka zbuluar gjithashtu ndryshime në rrjedhat e trafikimit, me viktima nga Amerika dhe Azia që po trafikohen drejt Afrikës, si dhe përmbysje të disa rrugëve tradicionale të migracionit në kontinentin amerikan. Presioni përgjatë rrugëve detare në Atlantik dhe Mesdhe, veçanërisht nga Afrika Perëndimore dhe Veriore drejt Europës, vijon të mbetet i lartë.

Autoritetet nënvizojnë se trafikimi i qenieve njerëzore dhe kontrabandimi i emigrantëve janë të lidhura ngushtë me forma të tjera të krimit të organizuar, përfshirë falsifikimin e dokumenteve, pastrimin e parave dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Operacioni u mbështet financiarisht nga Mbretëria e Bashkuar dhe u zhvillua në bashkëpunim me institucione dhe organizata ndërkombëtare, mes tyre Europol, Frontex, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara kundër Drogës dhe Krimit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.