“Osmani” zbarkon në Vlorë, Rama “e qeras” me 88.5 hektarë për 1 euro
Qeveria ka miratuar zyrtarisht projektin për zhvillimin e zonës së lirë ekonomike në Vlorë, duke i hapur rrugë një investimi të madh nga kompania RAMS Albania, e cila përfiton një sipërfaqe prej rreth 885 mijë metrash katrorë tokë shtetërore me tarifë simbolike prej 1 euro.
Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, ku zona “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE” është shpallur zyrtarisht Zonë e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik. Ky hap formalizon një proces që kishte nisur më herët me dhënien e statusit të investimit strategjik për këtë projekt.
Sipas dokumenteve zyrtare, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të vërë në dispozicion të kompanisë një sipërfaqe prej 885,557.6 m² në zonat kadastrale 8604 dhe 2765 në Bashkinë Vlorë. Kjo pronë është pjesë e fondit shtetëror për mbështetjen e investimeve strategjike dhe do të përdoret për zhvillimin e projektit për një periudhë 35-vjeçare, me mundësi zgjatjeje deri në 99 vjet.
Projekti parashikon ndërtimin e një zone moderne industriale dhe teknologjike, që do të përfshijë sektorë si automatizimi industrial, inteligjenca artificiale, përpunimi mekanik i metaleve dhe energjia e rinovueshme. Sipas planit të paraqitur, investimi kap vlerën e rreth 100 milionë dollarëve dhe synon të gjenerojë deri në 10 mijë vende pune.
RAMS Albania është pjesë e korporatës ndërkombëtare RAMS Global, në pronësi të Mehmet Faruk Bülbül. Kompania është bërë e njohur për publikun shqiptar edhe përmes lidhjes promovuese me aktorin turk Burak Özçivit, i njohur gjerësisht si “Osmani” nga seriali historik “Kuruluş: Osman”.
Një vit më parë, aktori vizitoi Vlorën në një aktivitet që u prezantua si turistik, ndërkohë që paralelisht kompania zhvillonte negociata me autoritetet shqiptare për këtë projekt. Me vendimin e fundit të qeverisë, këto negociata janë përmbyllur duke i dhënë dritën jeshile zbatimit të investimit.
Në të njëjtën kohë, Këshilli i Ministrave ka shfuqizuar tre vendime të mëparshme të vitit 2008 që lidhen me zonën ekonomike të Vlorës dhe projektin “Idea Vlora”, duke i hapur rrugë plotësisht projektit të ri të zhvillimit nga RAMS Albania.
Ky zhvillim vjen në një moment kur qeveria ka paralajmëruar ndryshime në kuadrin ligjor për investimet strategjike, duke shtuar debatet mbi mënyrën e përzgjedhjes së projekteve dhe përdorimin e pronës shtetërore për investitorë të huaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





