“Aruba”/ SPAK zbarkon në KKT, sekuestron dosjet e kullave dhe resorteve
Hetimet për dosjen e njohur si “Aruba” kanë hyrë në një fazë më intensive, ndërsa Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, po thellon verifikimet mbi një rrjet të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim të ardhurash në Shqipëri.
Në këtë kuadër, me vendim gjykate, hetuesit kanë ushtruar kontrolle në ambientet e Këshillit Kombëtar të Territorit, ku janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm dosjesh që lidhen me subjekte të përfshira në hetim. Dokumentacioni i marrë përfshin procedura dhe praktika për leje ndërtimi të projekteve të mëdha, përfshirë kulla, resorte turistike dhe investime të klasifikuara si strategjike.
Sipas të dhënave hetimore, grupi i dyshuar përfshin disa emra të njohur të botës së biznesit, të cilët dyshohet se kanë investuar të ardhura të përfituara nga aktiviteti kriminal në sektorë si ndërtimi dhe turizmi, me synim legalizimin e kapitalit. Mes tyre përmenden Artur Shehu, Artur alias Luçiano Koçeku, Alfredo Hamzai, Ilir Shtufi, Orest Sota dhe Orgest Birçaj.
Dosjet e sekuestruara lidhen me projekte të zhvilluara në disa prej zonave më të lakmuara të vendit, përfshirë Palasën, Gjirin e Lalzit, Vlorën, Tiranën si dhe zona të tjera bregdetare, të cilat prej vitesh kanë njohur një bum ndërtimesh.
Çështja “Aruba” dhe rrjeti ndërkombëtar
Goditja ndaj këtij rrjeti nisi më herët gjatë muajit qershor, kur SPAK ndërmori masa sigurie ndaj disa biznesmenëve të dyshuar për pastrim parash të ardhura nga trafiku i kokainës, me burim kryesisht Amerika Latine. Operacioni u mbështet edhe nga informacione të siguruara nga partnerë ndërkombëtarë, përfshirë autoritetet në Angli, Spanjë dhe Belgjikë.
Sipas hetimeve, rrjetet kriminale të drejtuara nga Koçeku dhe Hamzai dyshohet se kanë qenë aktive në shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës në tregjet europiane, ndërsa fitimet e krijuara kanalizoheshin drejt investimeve në Shqipëri.
Në dosjen voluminoze të përgatitur nga Gjykata e Posaçme, dokumentohen takime të zhvilluara në disa prej qendrave kryesore të trafikut në Europë, si Antverpi, Majorka dhe në ishullin Aruba në Antilet Holandeze, ku dyshohet se janë koordinuar aktivitetet kriminale dhe planet e investimeve.
Këto takime, të zhvilluara kryesisht në periudhën 2018–2021, sipas hetuesve kanë shërbyer për organizimin e trafikut të narkotikëve, por edhe për diskutimin e mënyrave të futjes së kapitalit në ekonomi përmes projekteve të ndërtimit.
Akuza dhe përfshirje e zyrtarëve
Dosja “Aruba” ka sjellë gjithashtu debate politike, për shkak të pretendimeve për përfshirje të zyrtarëve të lartë në takime të zhvilluara jashtë vendit. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se në një prej këtyre takimeve kanë marrë pjesë edhe figura të rëndësishme të administratës, përfshirë ish-zyrtarë të lartë të qeverisë.
Megjithatë, këto pretendime mbeten pjesë e verifikimeve dhe nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga organet e drejtësisë, ndërsa hetimet vijojnë në disa drejtime paralelisht.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



