E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pacolli denoncon skandal në Aeroportin e Vlorës: Shteti të reagojë!
Lajme

Pacolli denoncon skandal në Aeroportin e Vlorës: Shteti të reagojë!

50 inxhinierë kinezë po mbahen të izoluar brenda, me zor u dërguam ushqim dhe ilaçe

Behgjet Pacolli ka ngritur alarmin për një situatë të rëndë që, sipas tij, po zhvillohet brenda kantierit të Aeroportit të Vlorës. Ai denoncon se dhjetëra inxhinierë kinezë po mbahen të izoluar në ambientet e kampit të ngritur nga kompania e tij, MABCO, pa mundësi lëvizjeje të lirë.

Sipas Pacollit, hyrja në këtë zonë vijon të kontrollohet nga roje private, nën praninë e Policisë së Shtetit, duke penguar hyrjen e punëtorëve shqiptarë, inxhinierëve dhe nënkontraktorëve që kanë qenë të angazhuar në ndërtimin e aeroportit. Ai thekson se situata ka krijuar një bllokim të plotë të aktivitetit në kantier.

Nga ana tjetër, inxhinierët që ndodhen brenda rrethimit nuk lejohen të dalin në mënyrë normale. Sipas denoncimit, atyre u është bërë e ditur se nëse largohen për nevoja personale, nuk do të mund të rikthehen më në ambientet e punës. Kjo, sipas tij, përbën një kufizim të pajustifikuar të lirisë së tyre.

Pacolli shton se përfaqësuesit e kompanisë së tij kanë hasur vështirësi edhe për të furnizuar me ushqime dhe medikamente stafin e izoluar, duke arritur vetëm me shumë mund të dërgojnë ndihma bazike. Ai e konsideron këtë situatë një shkelje serioze të të drejtave themelore të njeriut dhe të standardeve ndërkombëtare të punës, duke theksuar se asnjë mosmarrëveshje kontraktuale nuk mund të justifikojë trajtimin e tillë.

Ai i bën thirrje institucioneve shqiptare që të ndërhyjnë urgjentisht për të zgjidhur situatën, duke paralajmëruar se kjo çështje rrezikon të dëmtojë jo vetëm ecurinë e projektit, por edhe reputacionin e Shqipërisë përballë investitorëve ndërkombëtarë.

Reagimi i plotë i Behgjet Pacollit:

Inzhinjeret nderkombetarë në gjëndje paraburgimi në kampin e Mabcos!
Edhe sot vazhdon e njëjta skenë e papranueshme në hyrje të Aeroportit të Vlorës. Punëtorët shqiptarë, inxhinierët dhe nënkontraktorët që kanë ndërtuar këtë aeroport, nuk po lejohen të hyjnë në vendin e tyre të punës. Hyrja vazhdon të mbahet e bllokuar nga roje private, nën praninë e Policisë së Shtetit.
E megjithëkëtë, pjesa më e rëndë ndodh brenda territorit të aeroportit. Mbi 50 inxhinierë kinezë ndodhen ende të izoluar brenda kampit të MABCO-s, në kushte krejtësisht të papranueshme. Ata nuk lejohen të dalin normalisht për të ushtruar punën e tyre dhe janë vënë përballë një situate absurde: të largohen pa të drejtë kthimi. Këta njerëz nuk kanë ardhur në Shqipëri për t’u trajtuar si të dyshuar apo si të burgosur. Kanë ardhur për të punuar në një projekt strategjik.
Sot ata kërkuan ushqim dhe medikamente. Dhe vetëm me shumë vështirësi arritëm t’u dërgojmë ndihmë bazike. E gjithë kjo po ndodh para syve të institucioneve shtetërore. Jemi duke folë për shkelje serioze të të drejtave themelore njerëzore, të standardeve ndërkombëtare të punës dhe të çdo norme minimale të trajtimit dinjitoz të njerëzve. Asnjë konflikt kontraktual nuk mund të justifikojë izolimin e njerëzve dhe bllokimin fizik të stafit teknik në një kantier strategjik.
I bëj thirrje institucioneve shqiptare të ndërhyjnë menjëherë për t’i dhënë fund kësaj situate të turpshme, që po dëmton jo vetëm projektin, por edhe imazhin e Shqipërisë përballë partnerëve dhe investitorëve ndërkombëtarë.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.