E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Padishahu që i ka të gjitha, përveç turpit
Lajme

Padishahu që i ka të gjitha, përveç turpit

Naim Noka| Opinion| Publik.al

Në një vend ku drejtësia është bërë dekor, e pushtetin e mban në një tepsi vetëm një njeri, nuk mund të ketë më as shpresë, as dinjitet. Padishahu i Rilindjes  ka gjithçka në dorë: burgun, çekiçin e drejtësisë, presidentin që Andi Bushati e krahasoi me një lopë, parlamentin e nënshtruar dhe gënjeshtrën e pakufizuar.

Një pushtet total që qëndron mbi gërmadhat e një shoqërie që po mbytet nga papunësia, droga dhe betoni.

Nga mushkonjat e drogës tek kullat e pastrimit

Ju kujtohet kur fliste për avionët e drogës? “Janë avionë që spërkasin për të vrarë mushkonjat” – thoshte me cinizëm, duke qeshur me një popull që përpiqej të mbijetonte mes hashashit dhe varfërisë.

Sot, me të njëjtën buzëqeshje tallëse, flet për pastrimin e parave: “Janë shpifje”, thotë.

Por ndërkohë, kullat mbijnë si kërpudhat pas shiut, në një Tiranë që nuk është më qytet, por fjetore e stërmadhe – një lavatriçe betoni për paratë e krimit, të trafikut dhe të korrupsionit.

Tirana që e zgjedh dhe zgjidhet vetëm nga një njeri është, de facto, një qytet pa shpirt

Tirana e sotme është një qytet pa mushkëri.

S’ka kanalizime të ujërave të zeza, por kullat gjigande shpojnë qiellin çdo ditë.

S’ka ujë të pijshëm, por ka miliona depozita mbi çati.

S’ka hapësira të gjelbra, por ka hije merimangash kabllosh që as në filma nuk i gjen dot.

S’ka kënde sportive.

S’ka ku të luajnë fëmijët.

S’ka Teatër Kombëtar, s’ka Muze Kombëtar funksional, s’ka Galeri Artesh, s’ka shkolla e kopshte të mjaftueshme.

Në ish-Bllok, fëmijët mësojnë me turne. Lana qelbet erë m*t!

Është një qytet që ka shumë kulla, por pa zemër. Shumë investitorë, por asnjë ndërtim për qytetarët, të cilëve u duhen 20 vite jetë për të blerë një apartament.

Një qytet që po rritet fizikisht, por po zbrazet shpirtërisht. Qyteti i pensionistëve dhe pesimistëve.

Tirana është qyteti ku krimi është bërë sistem

Kullat janë simboli më i pastër i krimit të organizuar me leje ndërtimi. Askush nuk pyet: kush i financon? Kush i blen? Pse çmimet janë të njëjta si në Paris, por të ardhurat si në Nigeri?

Sepse Tirana nuk është më treg pasurie, por një skemë kolosale për pastrimin e parave.

Nga biznesmenë me dosje, nga trafikantë që kanë ndërruar kostumet me kostume “investitorësh”, dhe nga politikanë që firmosin leje ndërtimi sikur po firmosin diploma nderi.

Ndërkohë SPAK-u rri e vështron, pa fuqi dhe i dorëzuar pa kushte. Bën pijarin në media falë dosjeve që i vijnë nga partnerët.

Korrupsioni dhe krimi shikojnë ndeshje në “Air Albania” dhe në Durrës! Të gjithë e dinë që policia e di se të shpallurit në kërkim nga SPAK janë kudo  në Tiranë duke drekuar, në Durrës duke parë me emocion ndeshjet e skuadrave të tyre por nuk mundet!

Bandat janë superiore, të heqin nga puna për një fjalë goje! Edhe Padishahu, po nuk i pëlqeve ose nuk zbatove një SMS, të degdis pa nam e nishan.

Në këtë realitet, pyetja e vetme që mbetet është:

A do guxojë ndonjëherë SPAK-u të hetojë Edi Ramën për pastrim parash, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal ku ai është kreu i organizatës?

Në çdo shtet normal, kur pasuritë nuk justifikohen, kur ndërtimet janë jashtë çdo logjike ekonomike dhe kur paratë rrjedhin nga xhepat e errët të trafikut, drejtësia troket në zyrën e pushtetit.

Por në Shqipërinë e padishahut, drejtësia është bërë pjesë e pushtetit – jo kontroll mbi të.

Epilogu i hidhur

Një ditë, kur kjo fasadë betoni të shembet, do të dalin në dritë të gjitha dosjet e fshehura nën themele.

Deri atëherë, shqiptarët do të vazhdojnë të ecin nëpër një qytet që ndërtohet për të pastruar, jo për të jetuar.

Një qytet që do të mbetet simbol i mashtrimit më të madh të një shekulli – ku krimi ndërton dhe e vërteta shembet çdo ditë.

Për ata që nuk kanë harruar të pyesin: Kush ndërton për kë? Dhe me çfarë parash?

Në fund, krahu tjetër i opozitës në vendnumëro. Rrotullohet rreth vetes pa e ditur kur, si, çfarë do të bëjë për një alternativë shpëtuese.

I njëjti film, i vjetër shumë. Kujtohet në fund, nja 20 ditë para votimeve, (se zgjedhje nuk do ketë për shumë kohë) dhe mes rrotullimeve aty për aty gjen një figurë sa për t’ia larë gojën disfatës së radhës, në Tiranën e Erionit dhe Ogertës.

Ah, prit, se desh harrova:

Ndoshta ky fundvit është i mbarë për mua, se më në fund, pas 10 vitesh, më doli data e një gjyqi në Apel. Po pres datën e caktuar në pranverën e vitit tjetër.

Zoti na dhëntë shëndet!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.