Pakt i padukshëm Berisha-Rama? Pse opozita hesht për Ballukun
Në çdo vend demokratik, kur pushteti përballet me akuza të rënda korrupsioni, opozita është ajo që ndez motorët për të kërkuar llogari. Por në Shqipëri ndodh e kundërta. Edhe pse një ministre e rëndësishme e qeverisë, Belinda Balluku, është shpallur e pandehur për një aferë 50 milionë euro, opozita hesht.
Asnjë aksion politik, asnjë protestë, asnjë reagim serioz përballë një rasti që në çdo vend tjetër do të kishte tronditur skenën politike.
Në janarin e vitit 2011, opozita e atëhershme – sot në pushtet – mbushi bulevardin për “bllokun e Metës”. Atëherë mjaftoi një video e errët për të ndezur zemërimin qytetar. Sot, me dokumente dhe akuza zyrtare, askush nuk lëviz.
Kreu i opozitës Sali Berisha flet për përballje, për “stuhi politike”, për protesta, por gjithçka mbetet në nivel deklaratash. Kur një protestë paralajmërohet për muaj të tërë, pa plan, pa veprim dhe pa drejtim, ajo humbet fuqinë dhe besueshmërinë.
Pse ndodh kjo? Sepse opozita duket e lodhur, pa strategji dhe pa frymë. Sepse qytetarët nuk i besojnë më thirrjeve që përsëriten pa veprim. Ose ndoshta sepse ekziston një heshtje e dakordësuar, një pakt i padukshëm, ku askush nuk do të trazojë ujërat, nga frika se mund të preken interesat e veta.
Në fund, pyetja nuk është më pse pushteti sillet si i paprekshëm, por pse opozita e lejon këtë.
Sepse një opozitë që nuk reagon, në thelb, është bërë pjesë e të njëjtit sistem që pretendon se po lufton.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



