SPAK “zbërthen” Pandi Carapulin, biznesmenit i gjejnë “të palarat”
Nga tenderat te kontratat fiktive
Pandeli (Pandi) Carapuli, një nga biznesmenët më të fuqishëm dhe më të përfolur në Shqipëri, del në qendër të një skeme të dyshuar me kontrata fiktive dhe pastrim parash, ku përfshihen zyrtarë të lartë, kompani strategjike dhe emra të njohur të jetës publike, mes tyre edhe Igli Tare.
Ai njihet si ndërtuesi i shtëpisë së Ramës në Surrel të Dajtit, i lidhur ngushtë me këtë të fundit dhe përfitues i disa miliardave tendera në nivel vendor dhe qendror.
Sipas dokumenteve të siguruara pritet të verifikohen nga SPAK, në fokus është një kontratë porosie e datës 5 dhjetor 2018, e cilësuar si fiktive, e lidhur mes shtetasit I.T dhe pronarit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k., Pandeli Carapuli. Kjo kontratë dyshohet se është përdorur për të justifikuar lëvizje financiare, ndërsa më pas skema është vijuar me veprime të tjera të ngjashme.
Në dokument theksohet se shtetasja Belinda Balluku ka përdorur persona të tretë, konkretisht shtetasin I.T dhe vartësen e saj në Albcontrol, shtetasen J.B, për të fshehur pasuri të dyshuara si produkt i veprës penale. Më tej, evidentohet se veprimet kanë vijuar me një tjetër kontratë fiktive – atë të qirasë (kontratë dore), e datës 25 maj 2022, si dhe me amendimin e saj më 26 prill 2024.
Këto veprime dyshohet se janë kryer “në formën e pastrimit të produkteve të veprës penale”, duke ngritur dyshime serioze për një mekanizëm të mirëorganizuar financiar ku përfshihen disa aktorë.

RRJETI I KOMPANIVE: EUROCOL, SWARCO, BERNARD ENGINEERS
Të dhënat e QKB konfirmojnë se Carapuli ka një rrjet të gjerë kompanish dhe ndikimi:
- “Eurocol” sh.p.k – në pronësi 100% të Pandeli Carapulit
- “Swarco Albania” – ku rezulton aksioner me rreth 25.5%
- “Bernard Engineers” – ku figuron administrator dhe aksioner
Këto kompani operojnë në sektorë kyç si ndërtimi, inxhinieria, infrastruktura dhe sinjalistika rrugore, fusha që lidhen drejtpërdrejt me tendera publikë dhe fonde të mëdha shtetërore.
KUSH ËSHTË PANDELI CARAPULI?
Pandeli Carapuli konsiderohet një nga oligarkët më të mëdhenj në vend, i lidhur ngushtë me pushtetin dhe përfitues i disa miliardë lekëve tendera publikë.
Emri i tij lidhet drejtpërdrejt me resortin luksoz “White Rocks” në Dhërmi, në fshatin Gjilekë – një kompleks vilash elitare me pishina, pontile druri dhe infrastrukturë turistike, i ndërtuar mes polemikash të forta për pronësinë e tokës dhe lejet ndërtimore.


Në këtë resort, sipas informacioneve, vila kanë porositur edhe figura të rëndësishme të politikës dhe administratës, përfshirë:
- Belinda Balluku
- Ben Ahmetaj
- Niko Peleshi
- Ëngjëll Agaçi
Një rrjet që sipas burimeve tregon për lidhje të forta mes biznesit dhe politikës në nivelet më të larta.

KONFLIKTE PRONËSIE DHE ZGJERIM NË BREGDET
Carapuli është përfshirë gjithashtu në konflikte të forta pronësie në Dhërmi, konkretisht me shtetasin Andon Bifsha, për tokat ku po ndërtohet resorti. Pavarësisht vendimeve gjyqësore dhe skadimit të statusit si “Investitor Strategjik”, ai dyshohet se ka tentuar zgjerimin e projektit, përfshirë edhe një sipërfaqe prej 1660 m² për dalje në det.

Media greke “Protothema” e ka cilësuar Carapulin si “mik të kryeministrit Rama” dhe ka ngritur shqetësime për shembjen e pronave në Himarë në funksion të projekteve turistike.

HIJET E KULLAVE DHE SKEMAT E REJA
Emri i Carapulit del edhe pas projekteve të tjera të dyshimta, përfshirë lejen për një kullë 33 kate në Vlorë, ku sipas informacioneve, pas kompanive formale qëndrojnë interesa të tij dhe të deputetit Vullnet Sinaj.
Në këtë skemë përmenden edhe emra nga showbiz si Donald Veshaj dhe Glenis Çobo, të cilët figurojnë si aplikantë formalë për projekte miliona euro, pa pasur kapacitet financiar të deklaruar.

SPAK PRITET TË HAPË DOSJEN?
Të gjitha këto të dhëna, të kombinuara me dokumentet që flasin për kontrata fiktive dhe pastrim parash, mund të çojnë drejt një hetimi të thelluar nga SPAK.
Nëse provohen, akuzat mund të përbëjnë një nga skandalet më të mëdha në Shqipëri, duke përfshirë një rrjet të gjerë biznesi, politike dhe interesa financiare që shtrihen nga tenderat publikë deri tek resortet luksoze në bregdet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco







