“Paqja mbaroi”, fermerët bllokojnë rrugët kyçe në Greqi (VIDEO)
Javën tjetër nis bllokimi i porteve dhe aeroporteve
Fermerët grekë po vazhdojnë me protestat e tyre, duke bllokuar rrugë kyçe, përfshirë aksin Janinë-Athinë, që nga pasditja e sotme.
Në të njëjtën kohë, blegtorët e Kretës kanë paralajmëruar se javën e ardhshme do të mbyllin aeroporte dhe porte, pavarësisht thirrjeve të Ministrit të Mbrojtjes së Qytetarëve, Michalis Chrysochoidis, për të mos prekur doganat dhe portet, duke paralajmëruar se do të ketë pasoja për shkelësit.
Pak para orës 11:00 të mesditës së të martës, fermerët nga Thesalia hynë në qendër të Larisës me traktorë. Në shenjë pakënaqësie ndaj politikave qeveritare në sektorin bujqësor, ata hodhën qumësht, grurë dhe sanë në rrugët kryesore.
Protestat e tyre janë pjesë e një presioni të vazhdueshëm ndaj qeverisë për çështje të tilla si çmimet e prodhimeve dhe kostot e larta të prodhimit. Përveç Larisës, bllokada u shtrinë edhe në kryqëzimin e Nikaias, në Malgara të Selanikut dhe në autostradën E-65 në Kardhica. Rreth 100 fermerë vazhduan mbylljen e pikës kufitare Evzone, duke lejuar të kalojnë vetëm kamionët grekë me mallra për eksport dhe duke rihapur dhe mbyllur rrugën sipas orarit për të menaxhuar trafikun.
Në Kretë, fermerët kanë paralajmëruar se nga 8 dhjetori do të mbyllin portet dhe aeroportet e ishullit. Tubimi i ardhshëm do të mbahet në stadiumin Pankretan në orën 11:30, dhe organizatorët njoftojnë se nuk do të lejojnë inspektime nga ekipet e OPEKEPE-së për sa kohë të zgjasë veprimi. Presidenti i Koordinimit Pankretan, Vasilis Manouras, theksoi se qëllimi është të dërgohet një mesazh i fortë qeverisë: fermerët nuk do të tolerojnë më tallje dhe janë të vendosur të përshkallëzojnë protestat.
Slogani i tyre kryesor është “paqja mbaroi”, ndërsa protestuesit sigurojnë se nuk kanë ndërmend të krijojnë pengesa të panevojshme për qytetarët, duke u përpjekur të shmangin shqetësimin e publikut që kishte ndodhur në grevën e mëparshme të VOAK-ut.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



