E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Para, automjete e ‘Rolex’, çfarë u sekuestrua në banesat e ‘Rrajave’
Flash

Para, automjete e ‘Rolex’, çfarë u sekuestrua në banesat e ‘Rrajave’

Reagimi zyrtar nga SPAK

Gjatë kontrolleve të kryera në banesat e anëtarëve të fisit Rraja, të arrestuar në kuadër të operacionit të SPAK, policia ka gjetur dhe sekuestruar një shumë të konsiderueshme prej 430 mijë eurosh. Prej tyre, 415 mijë ishin në euro, ndërsa pjesa tjetër në lekë dhe dollarë. Përveç parave, u sekuestruan edhe automjete luksoze dhe një orë Rolex.

Në pranga ranë Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit të PS, Rrahman Rraja, si edhe dy kushërinjtë e tij, Gazmir dhe Përparim Rraja. Kontrollet nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë u zhvilluan në orët e para të mëngjesit në zonat e Krujës dhe Niklës, në kuadër të hetimeve për trafik droge.

Të ndaluarit sipas urdhrave të SPAK:

  1. Marvin Bushati

  2. Agim Nina alias Lorenc Izet Selmani

  3. Sokol Qaja

  4. Gazmir Rraja

  5. Përparim Rraja

  6. Rexhep Rraja

Këta shtetas akuzohen për “trafikim të lëndëve narkotike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Kush janë të arrestuarit dhe personat në kërkim?

Rexhep Rraja dhe Përparim Rraja ishin që prej vitit 2023 në kërkim nga policia e Fushë-Krujës për dhunën barbare ndaj kushërinjve Bilbil dhe Jashar Maja, të cilët kishin denoncuar se gurorja e Përparim Rrajës po dëmtonte shtëpitë e tyre në Borizanë. Dy vëllezërit u rrahën brutalisht me shkopinj bejsbolli dhe mjete të tjera të forta.

Rexhep Rraja është i njohur edhe për çështjen e bujshme të vitit 2018 me Xhisiela Malokun, e cila deklaroi se ishte dhunuar nga ai, por e tërhoqi denoncimin pas disa orësh.

Të tjerë të përfshirë në hetime

Islam Sefa – Arrestuar në korrik 2024 pranë SPAK. Akuzohet si drejtues dhe financues i një grupi që trafikoi 912 kg marijuanë në Gjermani, me vlerë 3.3 milionë euro. Më 18 dhjetor 2024 u dënua me 11.4 vite burg për 9 episode trafiku. Ai dhe vëllai i tij, Bujar Sefa, janë dënuar më herët në Itali (2021) me 9 dhe 12 vjet burg për trafik droge ndërmjet Holandës dhe Venezias.

Bujar Sefa – Në kërkim. Më 1 korrik 2024 u dënua në mungesë me 10 vite burg si drejtues i një grupi që kultivonte parcela kanabisi në disa zona të Krujës.

Jani Çavo – Me masë sigurie në burg. Arrestuar në qershor 2023 si pjesë e një grupi që trafikonte kanabis nga Siria dhe heroinë nga Turqia, me vlerë totale deri në 2.7 milionë euro. Në dhjetor 2024, GJKKO e dënoi me 8.8 vite burg, ndërsa i gjithë grupi mori në total 107 vite dënim.

Aldo Gjini – I arrestuar më herët. Në korrik 2021 u përfshi në një plagosje në Tiranë. I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Europol për tentativë vrasje, trafik armësh dhe municionesh. Dyshohet gjithashtu si autor plagosjeje në Luksemburg (2020). Në vitin 2016, u arrestua në Itali për shpërndarje droge.

Ervin Shuli – Për të nuk ka të dhëna të mëparshme publike. Roli i tij në këtë grup kriminal ende nuk është bërë i ditur.

Dy të kërkuarit e tjerë, Hajdar Sefa dhe Vildan Baraku, kanë qenë bashkëpunëtorë të grupit të drejtuar nga Islam Sefa, në trafikun e marijuanës drejt Gjermanisë me vlerë 3.3 milionë euro.

Reagimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar paraqiti kërkesën në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, në kuadër të procedimit nr.9 të vitit 2024, për caktimin e masës së sigurimit ndaj 14 shtetasve, nën hetim për veprat penale që lidhen me trafikun e lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Gjykata e Posaçme me vendimin e saj nr. 124, datë 9.12.2025 vendosi pranimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

Sot, më 10.12.2025, strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bënë të mundur ekzekutimin e masave të sigurimi personal vetëm për 10 (dhjetë) personat nën hetim: I. S.(alias X.,), R. Rr., A. N (alias L. S.,), P. Rr., G. Rr., A. A. (alias Ç.,), A. Gj.(alias I.,), A. Q., J. Ç., dhe M. B.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim dhe punohet me strukturat e policisë së shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë për arrestimin e personave nën hetim B. S. (alias X), H. S (alias X, alias L.,), V. B., të cilët kanë qenë të shpallur më parë në kërkim apo të dënuar në mungesë për konsumimin e veprave të tjera penale, si dhe i hetuari E. Sh., ndodhet jashtë shtetit.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës. Policia gjyqësore ka ekzekutuar 11 (njëmbëdhjetë) vendimet e Gjykatës, si dhe janë realizuar kontrolle (banesash, automjetesh, dhe personash).

Pas kontrolleve të ushtruara deri në këto momente, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

415.000 Euro
7000 Dollarë Amerikanë
1.000.000 Lekë
11 aparate telefonash celularë
3(tre) automjete të markave të ndryshme si (BMW X-5, Range Rover, Volkswagen golf 6),
1(një) armë zjarri model Glock me 9 fishekë
1(një) jelek antiplumb
1(një) palë dylbi
1(një) orë ROLEX
1(një) DVR, si dhe dokumente të ndryshme.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 18.1.2024 ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr. 9 të vitit 2024, për veprat penale të kryera gjatë viteve 2020-2021: “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 të Kodit Penal; “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a të Kodit Penal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal, pa autor.

Këto hetime janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet europiane të drejtësisë, strukturat e hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, për të cilat janë ndërmarrë një sërë veprime të rëndësishme hetimore.

Nga hetimet e deritanishme kanë rezultuar dyshime të arsyeshme, të mbështetura në prova, se personat e dyshuar janë përfshirë në aktivitet të paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion final Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë, si dhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt Bashkimit Europian. Gjatë veprimtarisë së tyre, të dyshuarit kanë komunikuar gjithashtu mes tyre përmes aplikacionit të enkriptuar “SkyECC”. Këto komunikime janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike.

Nga këqyrja dhe analizimi i të dhënave të administruara është bërë e mundur identifikimi i 14 (katërmbëdhjetë) shtetasve shqiptarë nën hetim: I. S. (alias X.), E. Sh., R. Rr., B. S. (alias X.), A. N. (alias L. S.), H. S. (alias X., alias L.), V. B., P. Rr., G. Rr., A. A. (alias Ç.), A. Gj. (alias I.), A. Q., J. Ç. dhe M. B., të dyshuar për përfshirje në aktivitet të paligjshëm kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri më tani, si dhe nga ekzekutimi i letërporosive nga autoritetet malazeze, holandeze dhe turke, janë zbardhur rrethana të rëndësishme të kryerjes së veprave penale, duke u evidentuar rolet e drejtuesve, financuesve dhe pjesëmarrësve në këtë veprimtari kriminale, sipas episodeve të paraqitura më poshtë.

– Episodi i parë, i përket datës 3.11.2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Malit të Zi, është sekuestruar sasia prej 1722 kg, bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Gjermaninë.

– Episodi i dytë, i përket datës 23.11.2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Mbretërisë së Holandës, është sekuestruar sasia prej 475 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, e dërguar nga Ekuadori në Portin Vlissingen, Holandë.

– Episodi i tretë, i përket datës 26.1.2021, gjatë të cilit nga autoritetet të Turqisë, është sekuestruar sasia prej 236 kg bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Turqinë.

Gjithashtu, të hetuarit M. B., më datë 10.12.2025, iu sekuestrua, ndër të tjera, një armë zjarri model “Glock”, dhe është arrestuar në flagrancë për veprën penale;“Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në banesë (neni 278/4 i Kodit Penal), gjatë ekzekutimit të masës së sigurimit personal.

Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këto veprimtari të paligjshme kriminale.

Prokuroria e Posaçme falenderon autoritetet e drejtësisë gjermane, franceze, holandeze, belge, malazeze, turke, ekuadoriane, si edhe Eurojust, Europol, për mbështetjen e dhënë për SPAK.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.