E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Para, pushtet dhe mandate, pasuritë e “të rinjve” të Kuvendit
Lajme

Para, pushtet dhe mandate, pasuritë e “të rinjve” të Kuvendit

Që prej shtatorit 2025, skena politike shqiptare nuk u rinovua vetëm në emra dhe mandate, por edhe në shifra që do t’i bënin konkurrencë bilanceve të korporatave private. Deputetë të sapoardhur, ministra të papritur dhe figura që deri dje qëndronin larg vëmendjes publike, u shfaqën në Kuvend jo vetëm me karta identiteti politike, por edhe me pasuri që luhaten nga dhjetëra mijëra deri në dhjetëra milionë euro. Një ndryshim brezash në letër, por financiarisht një pamje e njohur.

Në krye të kësaj renditjeje qëndron deputeti socialist dhe sipërmarrësi në sektorin e shëndetësisë, Vasil Llajo, i cili spikat si figura më e pasur e Kuvendit. Me një pasuri neto të vlerësuar rreth 13.68 milionë euro, Llajo zotëron mbi 20 pasuri të paluajtshme, që variojnë nga apartamente dhe godina deri te toka bujqësore. Përveç kësaj, ai kontrollon një rrjet laboratorësh mjekësorë dhe deklaron dhënie huash për palë të treta në shuma që arrijnë qindra miliona lekë dhe qindra mijëra euro, duke u shfaqur më shumë si institucion financiar sesa si ligjvënës.

Një tjetër profil që tërheq vëmendje është ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, e konsideruar si surpriza politike e Edi Ramës në shtator. Me një pasuri neto rreth 5.31 milionë euro, Sala dallon për orientimin e qartë drejt tregjeve ndërkombëtare: fonde investimi miliona euroshe, llogari pensioni në dollarë dhe paund, si dhe investime jashtë Shqipërisë. Apartamentet luksoze brenda vendit përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të një profili financiar të ndërtuar kryesisht jashtë kufijve.

Ish-gjyqtari i shumëpërfolur Gjin Gjoni, sot deputet nga radhët e Partisë Demokratike, renditet gjithashtu ndër më të pasurit e Kuvendit. Ai deklaron dy vila me vlerë rreth 1.3 milionë euro, por vëmendjen kryesore e tërheq skema e huave: 12 hua të dhëna personalisht prej tij, me vlerë rreth 170 mijë euro, dhe plot 44 hua të dhëna nga bashkëshortja e tij, Elona Çaushi, që arrijnë në rreth 600 mijë euro. Një aktivitet financiar që ngre më shumë pikëpyetje sesa qetësi.

Në këtë panoramë përfshihet edhe Ana Dajko, deputete e Partisë së Adriatik Lapajt, e cila rezulton me një pasuri mbi 1.19 milionë euro. Ajo zotëron aksione në shoqërinë “Dajko-Koci SHPK”, depozita bankare dhe fonde investimi të konsiderueshme. Edhe pse me një rol të kufizuar në jetën politike, profili i saj financiar është gjithçka tjetër veçse i parëndësishëm.

Ndryshe paraqitet rasti i deputetes socialiste Sara Mila, e cila personalisht deklaron një pasuri modeste prej rreth 33 mijë eurosh. Megjithatë, tabloja ndryshon ndjeshëm kur përfshihet partneri i saj, Aleksandro Bardhi. Së bashku, ata arrijnë një pasuri mbi 1.13 milionë euro, me apartamente, garazhe, vreshta, ullishte dhe 25% të aksioneve në kompaninë metalurgjike “Anmetal”, duke krijuar një ndërthurje klasike mes politikës dhe biznesit.

Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, përfaqëson një profil më të moderuar ekonomik. Me rreth 162,783 euro pasuri, dy apartamente, një automjet të dhuruar dhe kursime bankare, ai qëndron larg listës së milionerëve, por gjithsesi mbi mesataren që shpesh predikohet në diskursin politik të forcës që përfaqëson.

Në fund të renditjes ndodhet deputetja më e re e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, me rreth 19,944 euro kursime. Pa pasuri të paluajtshme, pa aksione dhe me të ardhura kryesisht nga paga, ajo përfaqëson profilin më të thjeshtë financiar në një Kuvend ku pasuria e lartë duket se është bërë normë.

Në tërësi, panorama e deputetëve të rinj tregon se ndërrimi i emrave dhe brezave nuk ka sjellë domosdoshmërisht një ndryshim realitetesh ekonomike. Nga manjatë të shëndetësisë te ministra me fonde ndërkombëtare dhe deputetë me hua të diskutueshme, politika shqiptare vijon të rinovohet në pamje, por jo në kontraste.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.