Analisti dhe autori Roland Lami ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si po zhvillohet ceremonia e minimaturës në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një fenomen që po largohet nga kuptimi i saj i vërtetë dhe po kthehet në një “konkurs imitimi”.
Në një reagim publik, Lami thekson se në vend që minimatura të përfaqësojë një rit kalimi për adoleshentët, ajo po shndërrohet në një paradë imazhesh të standardizuara, ku të rinjtë përpiqen të imitojnë modele të promovuara nga rrjetet sociale dhe showbizi.
Sipas tij, djemtë shpesh paraqiten me elementë që lidhen me imazhin e “të fortit” në rrjete sociale, duke përfshirë veshje formale, makina luksoze dhe një qëndrim të kuruar, ndërsa vajzat ndjekin modele estetike të influencuara nga industria e spektaklit dhe influencerët.
“Ndërsa të gjithë përpiqen të duken unikë, përfundojnë duke ngjarë si produkte të së njëjtës linjë montimi”, shprehet Lami, duke nënvizuar kontrastin mes synimit për individualitet dhe rezultatit final të konformizmit.
Ai shton se kjo periudhë e jetës duhet të shërbejë për ndërtimin e identitetit personal, por në realitet, sipas tij, të rinjtë mësojnë më shumë se si duhet të duken sesa kush janë në të vërtetë. Në këtë kontekst, pyetja “kush jam unë?” zëvendësohet nga “si mund të dukem si ata që marrin më shumë vëmendje?”.
Lami evidenton gjithashtu rolin e familjes në këtë fenomen, duke theksuar se prindërit, shpesh me qëllime pozitive, bëhen pjesë e ndërtimit të një imazhi të idealizuar të fëmijëve të tyre. Sipas tij, investimi në paraqitje dhe skenografi i dërgon të rinjve një mesazh të fortë se dukja ka më shumë rëndësi sesa autenticiteti.
Në analizën e tij, ai vëren se vlerat si karakteri, talenti apo interesat personale mbeten në hije, pasi nuk përkthehen në elementë vizualë që marrin vëmendje në rrjete sociale. Në vend të tyre, theksohen elementë si makinat, markat dhe estetika e suksesit.
Në përfundim, Lami e sheh fenomenin e minimaturës si një reflektim më të gjerë të shoqërisë shqiptare, e cila, sipas tij, promovon individualitetin në teori, por shpërblen konformizmin në praktikë.
Ai ngre edhe një pyetje thelbësore mbi këtë fenomen: në mes të gjithë spektaklit dhe imazhit të kuruar, a po festohet vërtet individi, apo thjesht personazhi i ndërtuar për publikun?
Minimatura në Shqipëri po humbet gjithnjë e më shumë kuptimin e saj si rit kalimi dhe po shndërrohet në një konkurs imitimi. Në vend që të shohësh adoleshentë që festojnë një etapë të rëndësishme të jetës, sheh adoleshent që përpiqen të ngjajnë me gjithçka tjetër përveç vetes. Djemtë parakalojnë në tapete të kuq të modeluar sipas figurës së “të fortit” të rrjeteve sociale, kostum i zi, makinë luksoze, syze të errëta dhe një mimikë që duket sikur kanë mbyllur një marrëveshje milionëshe. Vajzat, nga ana tjetër, paraqiten sipas manualit estetik të showbiz-it dhe influencerëve. Ironia është se të gjithë përpiqen të duken unikë, por përfundojnë duke ngjarë si produktet e së njëjtës linjë montimi.
Mosha e minimaturës duhet të jetë momenti kur një i ri fillon të kuptojë kush është. Tek ne duket se është momenti kur mëson kush duhet të duket. Identiteti personal, karakteri, pasionet, talentet apo veçoritë individuale zëvendësohen nga një katalog modelesh të gatshme që qarkullojnë në TikTok, Instagram dhe videoklipe muzikore. Në vend të pyetjes “kush jam unë?”, dominon pyetja “si mund të dukem si ata që marrin më shumë vëmendje?”.Kështu ceremonia e afirmimit të individualitetit përfundon si ceremonia e parë e dorëzimit të tij.
Më interesant është fakti se ky realitet artificial nuk prodhohet vetëm nga adoleshentët. Ata thjesht luajnë rolin që u është caktuar. Pas çdo fotografie perfekte, pas çdo makine luksoze të marrë me qira dhe pas çdo paraqitjeje të kuruar deri në detaj, qëndron familja. Me dashuri, krenari dhe shpesh pa e kuptuar, prindërit investojnë në ndërtimin e një versioni të idealizuar të fëmijës së tyre. Duke besuar se po i japin një ditë të veçantë, shpesh i japin një mësim shumë më të thellë atë që dukja vlen më shumë se autenticiteti.
Në këtë mënyrë, familja bëhet bashkëautore e një iluzioni kolektiv. Fëmija nuk paraqitet ashtu siç është, por ashtu siç shoqëria ka vendosur se duhet të duket për t’u admiruar. Askush nuk interesohet për librat që lexon, për talentin që ka, për idetë që mbron apo për karakterin që po formon. Këto nuk fotografohen mirë. Në fotografi dalin më bukur makina, markat, grimi dhe skenografia e suksesit. Dhe meqë këto janë gjërat që marrin duartrokitje, këto janë edhe gjërat që prodhohen.
Ndoshta minimatura shqiptare nuk është aq shumë festë e adoleshentëve sesa pasqyrë e shoqërisë sonë. Një shoqëri që flet për individualitetin, por shpërblen konformizmin, që predikon autenticitetin, por admiron imitimin, që u kërkon të rinjve të jenë vetvetja, por vetëm pasi të jenë siguruar se vetvetja i ngjan modelit të radhës të servirur nga rrjetet sociale.