Tentativa e vrasjes në Durrës ndaj “Gucci”-t, arrestohet 23-vjeçari
Një konflikt mes të rinjsh në Durrës, që për pak sa nuk përfundoi në ekzekutim, ka rikthyer në fokus emrin e Fabion Kuçit, i njohur në rrjetet sociale si “Gucci”. Ngjarja ka çuar në arrestimin e 23-vjeçarit Florian Brahaj, i cili dyshohet se, së bashku me tre persona të tjerë, organizoi një sulm me armë zjarri.
Sipas materialeve hetimore, incidenti ka ndodhur më 15 dhjetor 2025 në një lokal në lagjen nr. 9 të qytetit bregdetar. Fillimisht, përplasja dyshohet të ketë nisur si debat verbal, por situata ka degraduar me përdorimin e armëve. Prokuroria dyshon se objektivi i atentatit ishte pikërisht Kuçi.
Gjykata e Durrësit kishte vendosur më herët masën e sigurisë “arrest në burg” për Brahajn, nën akuzën e “vrasjes me paramendim” të mbetur në tentativë dhe të kryer në bashkëpunim. Pas një periudhe në arrati, ai është lokalizuar dhe arrestuar në Tiranë.
Rasti konsiderohet një tjetër sinjal shqetësues për përshkallëzimin e konflikteve mes të rinjve, të cilat gjithnjë e më shpesh nisin në rrjetet sociale dhe përfundojnë në përplasje të dhunshme në jetën reale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



