Pas akuzave të Ahmetajt, Yeffet nxjerr ortaken për ta “mbrojtur”
“Jemi të hapur për çdo kontroll, në fundvit kalojmë miliarda. Për përgjimet s’di ça të them”
Sipërmarrësja shqiptare Arjeta Puca, e TIMAK Albania, ka folur për marrëdhënien e saj të biznesit me sipërmarrësin amerikano-izraelit Ron Yefet dhe marrëveshjen përmes së cilës ai u bë pjesë e kompanisë.
Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Puca tregoi se njohja me Yefet ka ndodhur në kuadër të një takimi mes biznesmenësh, ku të dy kanë diskutuar mundësitë për një bashkëpunim të përbashkët.
Sipas saj, marrëveshja për aksionet ishte e lidhur me investimet që biznesmeni amerikan do të sillte në TIMAK. Puca deklaroi se Yefet kishte parashikuar një investim prej 70 milionë eurosh dhe se tashmë kanë nisur të realizohen projekte të konsiderueshme.
“Ne kemi qenë në një takim biznesmenësh. Aty jemi njohur dhe kemi biseduar si mund të bashkëpunojmë bashkë. Ron Yefet do të investonte 70 milionë euro. Ka nisur dhe ka sjellë projekte të mëdha. Në fund të vitit, ne do të kalojmë në miliarda, ju do e shihni”, u shpreh Puca.
Puca për përgjimet e Ron Yefet: “Nuk kam asnjë reagim”
Emri i Ron Yefet është përmendur së fundmi edhe në një seri përgjimesh të bëra publike nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.
Në materialet e publikuara prej tij, Yefet shfaqej në komunikime me shtetas ukrainas, ku, sipas pretendimeve të bëra publike, diskutohej për trafik armësh nga Shqipëria.
E pyetur në “Opinion” për këto përgjime dhe për përfshirjen e partnerit të saj të biznesit në to, Arjeta Puca tha se i kishte parë materialet në televizion, por nuk kishte një qëndrim konkret për përmbajtjen e tyre.
“E pashë në televizor përgjimin e Ron Yefet dhe nuk kam asnjë reagim. Nuk di çfarë të them për atë, kush do, mund të vijë të kontrollojë, ne jemi të hapur”, deklaroi ajo.
Puca theksoi në këtë mënyrë se TIMAK Albania është e hapur ndaj kontrolleve dhe verifikimeve lidhur me aktivitetin e saj.
Çfarë po prodhon TIMAK në Shqipëri?
Gjatë intervistës, moderatori dhe gazetari Blendi Fevziu e pyeti sipërmarrësen edhe për aktivitetin aktual të kompanisë, duke e lidhur këtë çështje me pretendimet e bëra publike në përgjimet ku përmendej Ukraina.
Puca mohoi që TIMAK të ketë aktualisht komunikime me Ukrainën dhe shpjegoi se kompania është e fokusuar në prodhimin e mjeteve të ndryshme të përshtatura për nevojat e tregut dhe institucioneve shqiptare.
Sipas saj, TIMAK po prodhon aktualisht kamionë taktikë, automjete taktike dhe mjete zjarrfikëse për Shqipërinë.
“Ne tani po prodhojmë kamiona taktike, makina taktike, zjarrfikëse. Prodhojmë për Shqipërinë tani, të gjitha. Ne marrim markat e huaja dhe përshtatim pjesën e shasisë dhe karrocerisë, sipas nevojave. Më vonë, do të prodhojmë dhe për eksport”, tha Puca.
Ajo sqaroi gjithashtu se kompania ka zhvilluar kontakte me shtete të ndryshme, por mohoi që në këtë moment të ketë komunikim me Ukrainën.
“Ne kemi biseduar me shumë shtete, por me Ukrainën për momentin nuk kemi komunikim. Kemi biseduar me shtete afrikane”, u shpreh sipërmarrësja.
Puca bëri të ditur se gama e produkteve të TIMAK përfshin edhe automjete të blinduara, zjarrfikëse dhe klinika të lëvizshme, ndërsa synimi i kompanisë është që në një fazë të mëvonshme të zgjerojë aktivitetin edhe në tregjet e huaja.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



