Pas Dragostunjës, shkatërrohet totalisht një tjetër urë pranë Murrashit
Një situatë shqetësuese është evidentuar përgjatë linjës hekurudhore ekzistuese Elbasan–Librazhd, ku një urë hekurudhore ka pësuar dëmtime shumë të rënda, deri në shembje pothuajse të plotë. Struktura e dëmtuar ndodhet disa dhjetëra metra larg aksit rrugor kombëtar që lidh dy qytetet, në afërsi të urës së re automobilistike në hyrje të kthesave të Murrash.
Zona ku është konstatuar dëmtimi ndodhet rreth 12 kilometra larg segmentit problematik në Dragostunjë, ku më herët u raportua shembja e një pjese të infrastrukturës hekurudhore. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se konstruksioni i urës është dëmtuar në mënyrë të konsiderueshme, ndërsa në terrenin përreth vërehen çarje dhe lëvizje të dheut në disa pika.
Këto zhvillime kanë ngritur shqetësime serioze për qëndrueshmërinë e zonës, pasi rrëshqitjet e tokës mund të vazhdojnë dhe të përkeqësojnë më tej situatën. Nëse procesi i shembjes vijon, ekziston rreziku që dëmtimet të shtrihen edhe në pjesë të tjera të infrastrukturës përreth.
Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse për të sqaruar shkaqet e dëmtimit, për të bërë një vlerësim të rrezikut apo për të njoftuar masat që mund të merren për stabilizimin e zonës.
Banorët e zonës dhe drejtuesit e mjeteve që kalojnë në këtë segment kërkojnë një reagim të shpejtë dhe transparencë nga autoritetet. Sipas tyre, situata në terren mbetet shqetësuese, veçanërisht në një moment kur në këtë zonë po zhvillohen edhe punime për zgjerimin e rrugës që është pjesë e Korridori VIII.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



