2T dhe Salillari ‘gllabërojnë’ 60 milion euro për bypassin e Elbasanit
Dy nga tenderat më të mëdhenj të infrastrukturës rrugore në vend, me një vlerë totale mbi 60 milionë euro, kanë nxjerrë fitues paraprak kompanitë 2T dhe Salillari për ndërtimin e Bypassit të Elbasanit. Dokumentet e vlerësimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar tregojnë një garë të fortë mes kompanive, me oferta që kanë zbritur ndjeshëm nën fondin limit.
Në procedurën e parë, me objekt “Ndërtim rruga lidhëse Tiranë–Elbasan me korridorin VIII, Faza 1”, kompania 2T është renditur e para me 278.85 pikë. Pas saj janë klasifikuar 4 A-M dhe Gener 2, me diferenca të dukshme në vlerësim. Ky lot kishte një fond limit prej 3.3 miliardë lekësh, ose rreth 34.4 milionë euro, ndërsa ofertat kanë arritur deri në 35 për qind më të ulëta.

Ndërkohë, në procedurën e dytë, “Faza 2” e të njëjtit projekt, fituese paraprake është shpallur kompania Salillari, e cila ka marrë të njëjtin vlerësim maksimal prej 278.85 pikësh. Në këtë garë, pas saj janë renditur Gener 2 dhe 4 A-M. Fondi limit për këtë fazë ishte 2.5 miliardë lekë, ose rreth 26 milionë euro, me oferta që sërish kanë shënuar ulje mbi 30 për qind.

Numri i lartë i pjesëmarrësve në të dy lotet – 12 kompani në fazën e parë dhe 16 në të dytën – tregon për një konkurrencë të shtuar, e cila sipas të dhënave mund të ketë sjellë kursime që kalojnë 15 milionë euro nga fondi i paracaktuar.
Këto nivele uljeje konsiderohen të pazakonta për tenderat e mëdhenj të infrastrukturës në Shqipëri, një sektor që në të kaluarën është shoqëruar shpesh me mungesë gare reale dhe hetime nga organet e drejtësisë për paracaktim fituesish.
Bypassi i Elbasanit është një projekt strategjik që synon të përmirësojë lidhjen mes Tiranës dhe Elbasanit, si dhe të forcojë rolin e Korridorit VIII në rajon. Segmenti, me një gjatësi prej rreth 4.2 kilometrash, nis në Bradashesh dhe shtrihet në jug-perëndim të qytetit, në një terren kryesisht fushor.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërtimi i këtij aksi pritet të ulë ndjeshëm trafikun në qendër të Elbasanit, të shkurtojë kohën e udhëtimit dhe të rrisë sigurinë rrugore për qytetarët dhe bizneset.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



