Pas skandalit të AKSHI-t, nis epoka e re e SH.A.-ve digjitale
Qeveria hedh 7 milionë euro për “Albanian Digital Solution”
Qeveria shqiptare ka hedhur një hap të ri në sektorin e teknologjisë duke miratuar një fond fillestar prej 700 milionë lekësh (rreth 7 milionë euro) për ngritjen e shoqërisë shtetërore “Albanian Digital Solution” sh.a. Kjo strukturë e re, e krijuar në kuadër të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, synon të marrë në dorë menaxhimin operacional të sistemeve dhe shërbimeve digjitale në vend.
Vendimi vjen në një moment të ndjeshëm për sektorin, pasi Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetime mbi dyshime për abuzime me fondet publike dhe shkelje në procedurat e prokurimit. Në të njëjtën kohë, problematikat e herëpashershme me funksionimin e platformës e-Albania kanë shtuar presionin dhe vëmendjen publike ndaj mënyrës si administrohen shërbimet digjitale.
Sipas të dhënave zyrtare, shoqëria është themeluar më 14 prill 2026 me kapital tërësisht shtetëror dhe do të drejtohet nga administratori Saimir Kapllani. Roli i saj do të përqendrohet në zhvillimin, operimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve teknologjike, duke marrë përsipër një pjesë të konsiderueshme të funksioneve që deri më tani realizoheshin nga vetë AKSHI.
Krijimi i kësaj strukture mbështetet në ligjin për qeverisjen elektronike, i cili parashikon ndarjen e qartë mes rolit strategjik dhe atij teknik. Në këtë mënyrë, institucionet qendrore fokusohen në hartimin e politikave dhe mbikëqyrjen, ndërsa zbatimi konkret i projekteve i delegohet shoqërive të specializuara.
Megjithatë, ngritja e një tjetër kompanie shtetërore në këtë fushë ka hapur diskutime mbi transparencën dhe mënyrën e administrimit të fondeve publike. Ekspertë të fushës argumentojnë se modeli i ndërtuar mund të krijojë një shpërndarje të paqartë të përgjegjësive institucionale, veçanërisht në raport me auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe hetimet e mundshme nga SPAK.
Në këtë kontekst, “Albanian Digital Solution” pritet të shndërrohet në mekanizmin kryesor operacional për projektet digjitale të shtetit, duke menaxhuar investimet dhe infrastrukturën teknologjike në një sektor që mbetet nën vëzhgim të fortë publik për përdorimin e fondeve dhe efikasitetin e shërbimeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



