Pas takimit të Demos, ngrihet Task Forcë e Posaçme në Sarandë
Pas takimit me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hita, ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm që do të analizojë dhe rivlerësojë situatën kriminale në Sarandë.
Vendimi është marrë pas ngjarjes së rëndë të 20 shtatorit 2026 në qytetin bregdetar, si dhe pas analizës së zhvilluar nga drejtuesi i Policisë së Shtetit me strukturat drejtuese të Komisariatit të Policisë Sarandë.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, grupi i posaçëm do të përbëhet nga ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit të Sigurisë Publike. Ata do të kryejnë një vlerësim të detajuar të situatës së kriminalitetit në Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, drejtuesit e Komisariatit të Sarandës dhe strukturat hetimore.
Në fokus të këtij procesi do të jetë edhe performanca e strukturave drejtuese të Komisariatit të Policisë Sarandë. Rivlerësimi do të përfshijë të gjithë zinxhirin drejtues, por edhe efektivët e rolit bazë dhe të rolit të parë drejtues.
Policia e Shtetit bën me dije se, në varësi të përfundimeve të këtij procesi, do të merren edhe masat përkatëse ndaj strukturave apo efektivëve, nëse do të evidentohen problematika që kërkojnë ndërhyrje.
Paralelisht, autoritetet po punojnë për ngritjen e strukturave të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe luftën kundër krimit të organizuar. Sipas Policisë, këto struktura do të mbështeten edhe me kapacitetet dhe bazën e nevojshme logjistike për zhvillimin e veprimtarisë së tyre.
Ndërkohë, për ngjarjen e ndodhur më 20 shtator, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe zbardhjen e saj.
Hetimet po zhvillohen në koordinim me veprimet operacionale të strukturave të Policisë në terren, ndërsa pritet që në vijim të ketë të dhëna të tjera mbi përgjegjësitë dhe rrethanat e ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



