“Pas Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit fshihet diçka shumë më e madhe”
Artan Hoxha lëshon paralajmërimin e fortë
Gazetari Artan Hoxha ka ngritur pikëpyetje mbi përmasat e hetimit që lidhet me ish-drejtoren e SHISH, Vlora Hyseni, duke argumentuar se vëmendja nuk duhet të kufizohet vetëm te emrat që janë bërë publikë deri tani.
Në një diskutim në emisionin “Kjo Javë” në News24, me gazetaren Nisida Tufa, Artan Hoxha u ndal te zhvillimet që kanë përfshirë ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe komunikimet e saj me persona të tjerë që janë pjesë e hetimit.
Sipas Hoxhës, informacioni i bërë publik deri tani përbën vetëm një pjesë të vogël të një panorame që mund të jetë shumë më e gjerë. Ai theksoi se publikimi i fragmenteve të shkëputura nga një dosje hetimore mund të krijojë një perceptim të cunguar mbi atë që realisht po hetohet.
Gazetari u shpreh se në një çështje kaq sensitive duhet bërë dallimi mes asaj që është dokumentuar dhe asaj që mund të interpretohet nga publikimi i pjesshëm i komunikimeve.
Në këtë kontekst, ai tha se vëmendja nuk duhet të përqendrohet vetëm te Vlora Hyseni, Ergys Agasi apo personat e tjerë që janë përmendur publikisht.
“Mbas Gysit është një gjë e madhe”
Gjatë bisedës me Nisida Tufën, Hoxha bëri edhe një sqarim për identitetin e ish-drejtoreshës së SHISH, duke u ndalur te ngatërrimet që janë bërë në disa raportime për shkak të emrit të saj.
Nisida Tufa: Tani, dua të përqendrohem te për çfarë akuzohet Vjosa Hyseni. Çfarë akuzash? Çfarë di ti tani se përmban dosja? Pra, fokusohem te disa elementë konkretë me interes për publikun.
Artan Hoxha: Atëherë, shumë në fakt edhe nga kolegët tanë e kanë ngatërruar këto ditë. Është Vlora Hyseni. Vjosa që derdhet në Vlorë, kështu që aty nuk ke… Para se edhe unë vetë, më Vlora, se ngjashmëria me emrin e ish-presidentes na bën që…
Nisida Tufa: Vjosa Osmanin.
Artan Hoxha: Na bën që, në fakt, raportimet e ditës së djeshme kanë qenë më shumë… Shiko, çfarë ka dosja saktësisht e dinë vetëm… As prokurorët nuk besoj e dinë, vetëm oficerët e policisë gjyqësore që merr BKH-ja.
Po të jemi të qartë për këtë. Nuk besoj që ndonjë… Aq më tepër që çështja është shumë sensitive dhe prokurorët janë përpjekur që të mos rrjedhë informacion. Edhe ai që ka dalë, shumë, shumë pak, por gjithsesi ka dhënë një lloj ngjyrimi, pra është një pigment që është hedhur.
Pra, informacioni në vetvete është krejt… imagjinojeni, është marrë telefoni i shefit të shërbimit informativ. Problemi që do ketë SPAK është deri ku duhet ta kufizojë atë dhe të mos merret me pjesën tjetër. Merret vetëm me çështjen që të penalizojë zonjën në fjalë, një rreth të ngushtë të personave të cilët i kanë shërbyer asaj, Ergys Agasit dhe koordinatorit.
Kur themi koordinator, Gysi nuk është thjesht një Gysi. Mbas Gysit është një gjë e madhe. Gysi është një e teta, që duket shtatë-tetë, ne nuk i shohim. Kështu që unë nuk duhet të hyja, përveç edhe vendimit që ka GJKK-ja kur ka marrë masën e sigurisë, të cilin… Sepse është një gjë që ka vajtur vetë në kurriz edhe më ka dalë dosja pa e marrë unë vetë. Vendimi i masës së sigurisë që të them unë është një minierë e dosjes në vetvete. Pra aty është e përcaktuar qartë që në media nuk duhet të dalë dhe unë mendoj që nuk duhet të dalë ai lloj informacioni, sepse janë komunikime të shkëputura nga konteksti.
Nisida Tufa: Ta kishe, do ta publikoje?
Artan Hoxha: Unë jo. Unë do të mundohesha që, ashtu siç kam bërë, pra informacionin e kam marrë nga krahu tjetër, e kam marrë nga rruga, kam marrë nga agjencia shtetërore, sepse na rezultoi që agjencia shtetërore gënjen më shumë se krimi.
Hoxha: Çështja e SHISH nuk mund të shihet vetëm përmes disa emrave
Në vijim të diskutimit, gazetari u ndal edhe te rëndësia e institucionit që drejtonte Vlora Hyseni dhe te pasojat që, sipas tij, mund të ketë një hetim që prek strukturat e inteligjencës.
Hoxha argumentoi se SHISH ka një rol të veçantë në sigurinë kombëtare dhe se çdo dyshim për ndërhyrje të faktorëve kriminalë në funksionimin e këtij institucioni duhet parë në një kontekst më të gjerë.
Ai kujtoi se Shërbimi Informativ, në formatet e tij të ndryshme ndër vite, ka pasur një rol të rëndësishëm në funksionimin e shtetit shqiptar. Në të njëjtën kohë, Hoxha bëri një dallim mes periudhave të mëparshme, të cilat i lidhi me karakterin represiv të institucionit, dhe situatës që ai po komenton aktualisht.
Pikërisht këtu gazetari e zhvendosi fokusin nga një hetim që prek individë të caktuar drejt pyetjes se çfarë mund të nënkuptojë për sigurinë kombëtare përfshirja e strukturave të krimit të organizuar në një institucion inteligjence.
“As Rusia dhe Serbia nuk do ta kishin bërë dot”
Në pjesën tjetër të intervistës, Hoxha e përshkroi situatën si një zhvillim jashtëzakonisht të rëndë për institucionin e inteligjencës shqiptare. Deklaratat e tij ishin të lidhura me perceptimin e tij mbi nivelin në të cilin, sipas tij, krimi i organizuar mund të ketë depërtuar në struktura shtetërore.
Nisida Tufa: Ish-kreu i SHISH është tashmë në arrest shtëpie. Si e komentoni?
Artan Hoxha: Ka ndodhur kaq shumë gjëra kohët e fundit, sa është normalizuar edhe skandali më i madh. Pra kemi shkuar në fazën që po kthehemi dalëngadalë të pandjeshëm. Nuk na çudit asgjë. Jo se s’i kemi ditur, i kemi denoncuar, tashmë i shohim dhe me prova dhe prapë na duket e pabesueshme. Pra, asnjëherë nuk e kam menduar që gjatë gjithë karrierës që unë kam, pak 30 vjet si gazetar, që nuk e kam menduar kurrë që një krim i organizuar mund të shkonte deri në nivele të tilla. Shërbimi informativ, fillimisht SHIK, pra Shërbimi Informativ Kombëtar dhe pastaj SHISH, Shërbimi Informativ Shtetëror, ato kanë pasur historinë e vet, kanë pasur periudha që statusi i tyre ishte shumë i rëndësishëm. Ata ishin me shumë peshë, ishin shumë të frikshëm, kryenin vërtet operacione të cilat edhe sot e kësaj dite kanë lënë pasoja, janë deri me shoqërime, rrëmbime, torturime, deri dhe zhdukje njerëzish kanë bërë.
Por organi ka qenë represiv, sigurisht, në shërbim të atij që mund të ishte në pushtet, por nuk ka qenë i kapur nga krimi i organizuar.
Sa më tepër që Shërbimi Informativ e ka kryesisht punën me shërbimet armike…
Nisida Tufa: Po pra, nëse mbështetet te shërbimet partnere, të cilët janë aleatët e Shqipërisë, detyra kryesore e tij është ta mbrojë vendin nga kërcënimi që i vjen…
Artan Hoxha: Nga vendet armike. Dhe ne, për fatin tonë të keq, i kemi shumë afër armiqtë tanë natyralë, të cilët herë pas here duan të na dëmtojnë. Diku i arrijnë qëllimit, diku dështojnë, por janë permanent në sulmin që i bëjnë vendit tonë për ta dobësuar, edhe si demokraci, edhe si shoqëri, edhe si shtet. Por unë besoj që as në ëndrrat më të mëdha që mund të kenë kaluar nëpër mend shërbimet e vendeve armike, nuk besoj që do të mendonin të realizonin një operacion të tillë që t’i shkaktonin shërbimit tonë shtetëror një katastrofë të këtij niveli.
Pra, edhe sikur Federata Ruse, ku di unë, shërbimi serb, shërbimi grek, shërbimi iranian të bëheshin bashkë dhe të përdornin të gjitha energjitë e tyre, burimet financiare, burime njerëzore, teknologjike për t’i shkaktuar Shqipërisë këtë gjë, unë besoj që nuk do ta kishin arritur. Dhe këtë gjë pra nuk e arritën gjithë këto shërbime të mëdha, me famë globale, pra famë të keqe, dhe e arriti shërbimi i Sukthit, shërbimi i Xhavzotajt, i Hamllajt. Pra duket në një skenë, domethënë, apokaliptike. Unë nuk e di, edhe për dashamirësit e Netflix-it që shohin ato serialet “Narcos”, nuk besoj që regjisorëve të famshëm atje do t’u shkonte në mendje ta bënin fiction një gjë të cilën ne e bëmë në realitet.
Hetimi dhe pyetja që mbetet pas deklaratave të Hoxhës
Deklaratat e Artan Hoxhës e zhvendosin vëmendjen nga personat e bërë tashmë publikë drejt përmasës së plotë të hetimit. Sipas tij, komunikimet e publikuara deri tani nuk japin domosdoshmërisht një pamje të plotë të asaj që ndodhet në dosjen hetimore.
Çështja e Vlora Hysenit është bërë pjesë e një hetimi më të gjerë që prek edhe emra të tjerë, ndërsa komunikimet e publikuara mes saj dhe Ergys Agasit kanë sjellë në vëmendje marrëdhënien mes ish-drejtores së SHISH dhe biznesmenit që ndodhet nën masë sigurie në kuadër të dosjes së AKSHI-t.
Në këtë pikë, pyetja që ngre Hoxha është nëse hetimi do të mbetet i kufizuar te personat dhe episodet që janë bërë tashmë publike apo nëse do të zbardhen edhe hallka të tjera të lidhura me këtë çështje.
Përgjigjja, në këtë fazë, i takon hetimit dhe institucioneve të drejtësisë. Ajo që është e qartë nga deklaratat e gazetarit është se ai e konsideron informacionin e publikuar deri tani vetëm një pjesë të një tabloje që, sipas tij, mund të jetë shumë më e gjerë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



