Pasi dy helmimeve, Akademia e Sigurisë heq dorë nga ‘SORI-AL”
Rikthehet gatimi i ushqimit në mensë pas 116 rasteve alarmante
Akademia e Sigurisë ka ndërmarrë një hap të fortë pas dy episodeve të rënda të dyshuara si helmime ushqimore, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën e furnizimit me ushqim për kursantët. Institucioni ka hequr dorë nga shërbimi i kateringut i ofruar nga kompania “SORI-AL” dhe tashmë vaktet përgatiten brenda mensës së vetë Akademisë.
Burime pranë institucionit bëjnë me dije se ky ndryshim ka hyrë në fuqi më 27 qershor, si një masë për të shmangur përsëritjen e situatave që tronditën jo vetëm Akademinë, por edhe opinionin publik. Krahas rikthimit të gatimit në ambientet e brendshme, është bërë një riorganizim i plotë i mensës, është shtuar personeli i kuzhinës dhe është zgjeruar ndjeshëm menuja për kursantët.
Sipas të njëjtave burime, studentët që ndjekin studimet në Akademinë e Sigurisë raportojnë për përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së ushqimit. Ata theksojnë se vaktet janë më të freskëta dhe më të larmishme krahasuar me periudhën kur shërbimi ofrohej nga kompania e jashtme.
Vendimi vjen në një kohë kur dy incidente të njëpasnjëshme ngritën alarmin për sigurinë ushqimore në këtë institucion. Në total, 116 kursantë shfaqën simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke, duke kërkuar ndihmë mjekësore në QSUT. Pas këtyre rasteve u ngrit një grup hetimor, ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ndërmori analiza laboratorike për të identifikuar shkakun.
Rasti i parë u regjistrua në muajin maj, kur dhjetëra studentë përfunduan në spital. Analizat zbuluan një kampion ushqimor jokonform: në makaronat e gatshme u konstatuan nivele mbi normë të bakterit Escherichia coli dhe stafilokokut koagulazë pozitiv. Si pasojë, AKU vendosi pezullimin e përkohshëm të aktivitetit të kompanisë “SORI-AL”, e cila kishte kontratën e kateringut me Akademinë, megjithëse më vonë aktiviteti i saj vijoi.
Vetëm pak javë më pas, një tjetër incident preku mbi 60 kursantë të tjerë, duke rritur shqetësimet për standardet e sigurisë ushqimore. Edhe në këtë rast, AKU kreu kontrolle të menjëhershme, mori 14 mostra për analiza dhe nisi verifikimet për të përcaktuar shkakun e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, burime bëjnë me dije se Akademia e Sigurisë pritet t’i nënshtrohet një procesi më të gjerë riorganizimi administrativ, me fokus rritjen e standardeve dhe garantimin e kushteve më të sigurta për kursantët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



