E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pasi ia bëri qejfin deri në fund, Braçe kujtohet të sulmojë Ramën
Lajme

Pasi ia bëri qejfin deri në fund, Braçe kujtohet të sulmojë Ramën

“Je i dashuruar me pushtetin, prano gabimet”

Deputeti kërkon t’u hedhë “hi syve” shqiptarëve: Nuk jam tradhtar, kërkoj reformë të vërtetë

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka dalë publikisht për të shpjeguar votën e tij kundër projektligjit për Reformën Territoriale, pas debatit të fortë politik që pasoi qëndrimin e tij dhe kritikave të drejtpërdrejta ndaj tij. Braçe këmbëngul se vendimi ishte rezultat i bindjeve të veta dhe jo i ndikimit nga persona apo interesa të tjera, duke kundërshtuar çdo përpjekje për ta paraqitur si një deputet që ka tradhtuar partinë apo zgjedhësit.

Në reagimin e tij të gjatë, socialisti i përgjigjet edhe kryeministrit Edi Rama, të cilit i kërkon të bëjë publike se cilat janë “duart e pista” që, sipas deklaratave të këtij të fundit, mund të kenë ndikuar në votën e tij. Braçe thekson se Rama nuk mund ta përdorë qëndrimin e tij për të sulmuar të tjerë dhe as të flasë në emrin e tij, ndërsa nënvizon se vota e tij nuk ishte një veprim kundër kryeministrit si individ, por kundër një projektligji që, sipas tij, nuk përmbush kriteret e një reforme të mirëfilltë.

Përtej përplasjes me kreun e qeverisë, deputeti ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si funksionon vendimmarrja brenda Partisë Socialiste. Ai e konsideron antidemokratik modelin ku një deputeti mund t’i pranohet se ka argumente të drejta, por më pas t’i imponohet vullneti i shumicës përmes disiplinës parlamentare. Sipas Braçes, parimi “ose voto, ose je jashtë këtij grupi” nuk mund të zëvendësojë debatin dhe bindjen politike.

Ai shpjegon se zgjodhi të qëndrojë në grupin parlamentar dhe të vazhdojë detyrën si deputet, pavarësisht presionit dhe sulmeve që thotë se ka përjetuar. Braçe kujton se mandati i është besuar nga qytetarët, mes tyre rreth 25 mijë votues, dhe se përgjegjësia e tij kryesore mbetet përfaqësimi i tyre.

Erion Braçe: Nuk votova kundër njerëzve, por kundër një harte pa reformë

Në thelb të qëndrimit të tij, Braçe vendos dallimin mes një riorganizimi të kufijve administrativë dhe një reforme që ndryshon realisht mënyrën e funksionimit të pushtetit vendor. Sipas tij, projektligji i propozuar përfaqëson një vizatim të ri të hartës administrative, por nuk garanton ndryshimet e nevojshme në kompetenca, financim dhe autonomi të bashkive.

Deputeti argumenton se ndryshimi i hartës, pa një reformë të thellë të pushtetit vendor, mund të sjellë pasoja negative për banorët e bashkive që përthithen nga njësi më të mëdha administrative, por edhe për komunitetet e bashkive që do të shërbejnë si qendra të reja. Për këtë arsye, ai kërkon që riorganizimi territorial të shoqërohet me transferimin e kompetencave, funksioneve, buxheteve, të ardhurave dhe pronave te njësitë e qeverisjes vendore.

Braçe ngre gjithashtu çështjen e decentralizimit dhe autonomisë financiare, duke thënë se gjatë diskutimeve nuk ka marrë një përgjigje të qartë se deri ku është e gatshme të shkojë qeveria në transferimin e pushtetit te bashkitë. Sipas tij, qytetarët kanë nevojë për një pushtet vendor që të ketë mjete dhe autoritet real për të zgjidhur problemet e tyre, dhe jo vetëm kompetenca formale që nuk mund të ushtrohen në praktikë.

Përplasja me Ramën dhe kritikat për disiplinën në PS

Në reagimin e tij, Braçe i kërkon Ramës të sqarojë deklaratat për ndikime të mundshme të jashtme në votën e tij dhe të mos përdorë emrin e deputetit për të ngritur akuza ndaj personave të tjerë. Ai mohon çdo lidhje me individë apo interesa që janë përmendur në debat dhe e konsideron të pabazuar përpjekjen për t’ia atribuar qëndrimin e tij ndikimit të të tretëve.

Një pjesë e rëndësishme e reagimit i kushtohet mënyrës së ushtrimit të autoritetit nga drejtuesit e Partisë Socialiste. Braçe kritikon situatat kur mendimi ndryshe pranohet vetëm në dukje, ndërsa më pas neutralizohet përmes presionit politik dhe disiplinës së grupit parlamentar.

Sipas tij, fakti që një deputet përballet me shumicën nuk do të thotë automatikisht se ai është gabim. Përkundrazi, ai kërkon që argumentet të shqyrtohen mbi bazën e përmbajtjes dhe jo të vlerësohen sipas ndikimit që mund të kenë në autoritetin e drejtuesve të partisë.

Braçe shprehet se nuk ka ndërmend të largohet nga detyra e tij për shkak të përplasjes dhe se do të vijojë të punojë si deputet. Ai e përshkruan këtë zgjedhje si një detyrim ndaj qytetarëve që i kanë besuar mandatin ndër vite, duke theksuar se përgjegjësia e përfaqësimit nuk mund të zhbëhet nga një konflikt i brendshëm politik.

Braçe kërkon që Rama të ndajë pushtetin dhe të mbajë përgjegjësi

Deputeti socialist e zgjeron kritikën e tij edhe te mënyra se si kryeministri ushtron pushtetin. Ai vlerëson se Rama ka pasur raste kur autoritetin e tij e ka përdorur për të sjellë ndryshime pozitive, por shton se pushteti është shpërdoruar gjithashtu në raste të tjera nga ministra dhe drejtues që, sipas tij, nuk e kanë përmbushur detyrën.

Në këtë kontekst, Braçe i kërkon kryeministrit të marrë përgjegjësi konkrete për gabimet e bëra dhe të mos ia atribuojë ato vetëm personave që ka pasur në krah. Sipas deputetit, drejtimi i qeverisë nuk duhet të mbështetet te përqendrimi i autoritetit në një person, por te ndarja funksionale e pushtetit dhe respektimi i institucioneve të pavarura.

Për Braçen, reforma territoriale duhet të ishte një mundësi për të rishikuar rrënjësisht marrëdhënien mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor. Ai kërkon që bashkitë të kenë më shumë kompetenca, burime financiare, të ardhura, prona dhe mundësi investimi, në mënyrë që të ofrojnë shërbime më të mira dhe të marrin vendime që u përgjigjen drejtpërdrejt nevojave të komuniteteve.

Ai shpreh bindjen se decentralizimi i vërtetë është i mundur, por shfaq rezerva nëse qeveria do të jetë e gatshme ta zbatojë atë plotësisht. Sipas tij, transferimi i përgjegjësive te bashkitë nuk duhet të mbetet një premtim politik, por të shoqërohet me kompetenca dhe financim të mjaftueshëm.

“Qëndrova për reformën, jo për hartën”

Në përfundim të reagimit, Braçe rikthehet te arsyeja që, sipas tij, përcaktoi votën kundër projektligjit. Ai thekson se nuk ka vepruar për të dëmtuar Partinë Socialiste, por për të kundërshtuar një model që e konsideron të pamjaftueshëm për nevojat e pushtetit vendor.

Deputeti u drejtohet veçanërisht qytetarëve që e kanë votuar ndër vite, duke kërkuar që qëndrimi i tij të gjykohet përmes argumenteve dhe jo vetëm nga fragmentet e shkurtra të debatit publik. Ai shpreh gjithashtu keqardhje për banorët e bashkive të prekura nga vota e tij, duke përmendur Poliçanin, Urën, Divjakën, Maliqin, Libohovën dhe zona të tjera.

Përplasja e Braçes me drejtuesit e Partisë Socialiste nxjerr në pah një debat më të gjerë mbi mënyrën e vendimmarrjes brenda shumicës parlamentare dhe përmbajtjen e reformës territoriale. Ndërsa deputeti kërkon decentralizim, autonomi financiare dhe më shumë pushtet për bashkitë, mbetet në qendër të debatit pyetja nëse riorganizimi administrativ do të shoqërohet me ndryshime konkrete në funksionimin e qeverisjes vendore.

REAGIMI

Dje i lashë të gjithë të flisnin për votën time të mëngjesit herët; foli Edi Rama me mburrjen e tij fyese dhe të përhershme, foli një i dytë që zgjohet në pikë të mëngjesit të bëjë intelektualin, profesorin, mendimtarin dhe përfundoi të bëjë tredhësin eunuk të fjalëve që mahnisin dy vajza, foli një i tretë-palaço ky, me motrën nën akuzë si hajdute parash e veten në rolin e kirurgut të një shërbimi publik me halle e të vjedhur nga oligarku më i madh i sektorit që është edhe punëdhënësi i tij, foli edhe një njeri të cilin e çmoj pa masë, akademik, profesor, të cilit nuk ia kuptova në asnjë moment arsyen pse fyen po aq po aq sa Edi Rama, të cilin e kritikon çdo ditë. Tani, kam detyrimin të flas unë, të bëj më shumë se e folura e të shpjegoj votën time.

E para, nuk ia lejoj Edi Ramës të flasë për votën time e me të të lëshojë flakërima ajri në mjedis kundër kujtdo që ka në mendje; nuk mund ta bëjë në emrin tim e duke përmendur votën time; unë, siç ai e pohoi në mbledhje, nuk kam votuar pro tij dhe e kishte numëruar “shumë herë” këtë, ndaj ta lërë këtu e me kaq. Ajo që kërkoj prej tij dhe ai ua ka detyrim socialistëve sot, është të thotë se cilat “duar të pista, ca të dukshme e ca të padukshme, por të zbuluara tanimë”, më paskan ngatërruar mua. Derisa ta bëjë këtë, ka kohë të shohë tek vetja, po të dojë edhe rrotull tij, por më shumë tek vetja dhe të pranojë, jo thjesht ta thotë për nevojë fjalie e teksti, ta pranojë se aktet, vendimet që nuk janë të duhurat dhe janë gabim, burojnë edhe nga mënyra se si ai mendon, si i imponon, si i argumenton si më e mira e mundshme kur mundësia s’i është dhënë kurrkujt, si e pranon që të tjerë përtej tij kanë të drejtë, por jo tani e duke cenuar autoritetin e tij që duhet të jetë i padiskutueshëm, mu në atë formën që ta hedh fytyrës me arrogancë e të tjerëve mu si urdhër, “po si ti e paske mirë dhe i gjithë ky grup e ka gabim”, për të të relativizuar, zhvlerësuar, nëmur; ndërkohë që mund edhe të ishte, duke parë nga vetja, pse ti e paske mirë dhe një shumicë edhe më e madhe se një grup e paska gabim

E dyta, unë nuk kam gënjyer kënd që të jem gënjeshtar, nuk i kam dhënë besë kujt që të jem i pabesë; nuk kam tradhtuar kënd nga ata 25 mijë njerëz që më kanë votuar e plot të tjerë që më kanë votuar në 30 vite. Të isha kundër projektligjit për ndarjen administrative e territoriale ishte zgjedhja ime, ardhur nga bindja e krijuar pa asnjë kërkesë e imponim, se ai ligj nuk ishte e nuk është reformë, por një vizatim i ri i territorit administrativ, i përkohshëm, i paqëndrueshëm dhe i pamjaftueshëm si reformë, mu siç Edi Rama e pranoi vetë në mbledhjen e grupit të deputetëve socialistë. Pra, ishte qëndrimi im, është qëndrimi im dhe ishte e është i pandikuar nga cilido që sot e lidh me veten kur nuk ka asnjë lidhje me të, për më tepër kur është një robot i ndyrë në rrjet dhe asfare banor i prekur.

3. E treta, të qenit deputet është punë dhe Kuvendi për mua është vendi im i punës. Edi Rama ka vizatuar listat dhe i vizatoi siç donte, në stilin e tij, punën ma kanë dhënë njerëzit me votë. 25 mijë njerëz, të parët socialistët ndër ta, të majtë dhe njerëz të zakonshëm në këtë qytet e jo vetëm, bashkë me ta, menduan që unë e bëj këtë punë dhe kanë të gjithë të drejtën të kërkojnë prej meje punën. Unë jam këtu, në Tiranë tani. Pooo, kam një detyrim të pafundëm moral ndaj të gjithë atyre që ma kanë dhënë këtë punë në vite e të cilëve u jam përgjigjur përulësisht, modestisht dhe me mirënjohje çdo ditë, atje ku ata banojnë e jetojnë, pa munguar asnjëherë, duke i mbrojtur çdo herë, duke bërë mirë e duke ndryshuar për mirë jetën për shumicën e tyre. Asnjëherë vetëm, por me ta, me shumë shokë e miq të kësaj rruge, të këtyre qeverive veçanërisht, për ta. E bëra edhe këtë herë, po e theksoj pa ma kërkuar kush, deri kur puna e dhënë nga të tjerë njerëz, mund të zhbëhej si e tillë nga ai rimodelimi antidemokratik që mbështetet në një model tjetër antidemokratik, “ose voto, ose je jashtë këtij grupi” e që vijon me “ti mund të punosh me këtë qeveri në këtë grup, jo jashtë tij”. E thashë aty e do vijoj ta them se kur kam të drejtë, dhuna e disiplinës që vihet në veprim në rast nevoje, është deformimi më i madh antidemokratik që po i ndodh Partisë së Socialistëve. Të kesh të drejtë dhe këtë ta thonë në sy “po, ke të drejtë”, ndërkohë që kjo e drejtë bluhet nga disiplina e thuprës apo bariut, i vetëquajtur ky, që garanton jo të duhurën, është e papranueshme.

4. E katërta, unë votova që të mos iki, por të qëndroj, të bëj punën dhe gjithkush që e njeh këtë punë e di fort mirë se kjo punë e tillë është, e varur nga vota e shumicës, e rëndë si e tillë, të rrëzon, të thyen, të bën copash aq sa nuk merr dot frymë, por unë e kam pranuar këtë punë e nuk bëj dot pas, e kam të ndaluar të bëj pas. Nuk di në keni parë tjetër që të sulmohet e të qëndrojë, të linçohet e të rrijë përballë, t’i shkojnë atje ku jeton e atje ku punon, po bën punën dhe të dëgjojë e përgjigjet, me kosto shumë të madhe personale e familjare; keni parë? Ndaj vendosa të rri dhe të bëj punën. E di që kam prishur një plan që politika e ka të sajin, të brendshëm, të poshtër, por nuk mund të bëj pa të, ndaj për Nesti numëruesin dhe numëruesit e tjerë unë jam 85-a, 84-a ishte aty për planin.

5. E pesta, unë qëndrova për REFORMËN, për të na votuan, jo për hartën; besojeni ose jo, por ajo hartë bëhet e keqe pa reformën, jo thjesht si hartë; ndryshon për keq e brutalisht jetën e njerëzve në bashkitë që përthithen dhe bashkitë qendër, pa reformën, jo thjesht si hartë. Unë mendoj që REFORMA E PUSHTETIT dhe e pushtetit vendor është mundësia që është përpara: Qeveria të transferojë masivisht pushtet, kompetenca, funksione, buxhet, tatime e taksa, të ardhura, prona e mundësinë e përdorimit për qëllime ekonomike, mundësi investimi, tek pushteti vendor. Ky është pushteti i njerëzve, është ai ku ata përballen çdo ditë dhe është pushteti më legjitim, i zgjedhur, sesa pushteti që u është dhënë drejtorëve të qeverisë. Është pushteti që duhet të shërbejë me fuqi, kompetenca, funksione, buxhete, politika të mbështetura e financuara prej tyre realisht, ndryshe nga kompetencat formale e deri banale që me të drejtë as i ushtron kush. Të kontrollohet doemos. A është e vështirë të bëhet? Pooo, e vështirë është. Në 4 ditë pyeta shpesh: A ËSHTË GATI QEVERIA TË LËSHOJË E TRANSFEROJË PUSHTET NË NIVELIN VENDOR? Nuk mora asnjëherë përgjigje të qartë e që tregon se deri ku do të shkojë qeveria me dy parime kushtetuese të këtij pushteti, decentralizimin dhe autonominë financiare; po e rikujtoj, për këtë e jo njoftimin e hartës apo votës sime, na kanë votuar. A besoj unë tek kjo? Pooo! A besoj unë se do ndodhë kjo? Deri diku po, por jo plotësisht.

Edi Rama e ka të lehtë të njoftojë rrugën time ose, siç thonë disa rreth tij, se çfarë më pret mua. Por unë mendoj që e ka të vështirë të lëshojë pushtet. Ai është i dashuruar me pushtetin, fuqinë e autoritetin që ai jep; e ka përdorur për mirë shpesh duke bërë mirë e sjellë ndryshime në këtë vend; e ka deleguar po për mirë, siç e ka shpërdoruar në mënyrë të përsëritur në ministra e drejtorë të padenjë; ka bërë gabime, të rënda disa, që duhet t’i pranojë nominalisht si të tijat, jo thjesht si të të gjithë atyre që nuk paskan qenë të denjë përkrah tij, në rrugën e tij. Të marrë e mbajë përgjegjësi. Të japë një shenjë që pushtetin nuk e ka personal, nuk e ushtron si të tijin, por e ndan siç Kushtetuta e ka caktuar, me pushtete të tjera të ligjshme e sovrane, të pavarura e që duhet të jenë funksionale, deri në fund, të pacenuara apo përgjysmë si vullnet disiplinues i maxhorancës të zbehur në njoftime, qoftë edhe si hartë.

Unë qëndrova për këtë, për punën që jam votuar të bëj, asgjë tjetër! Pata në mend vetëm ata njerëz që më kanë votuar në 30 vite. Tani në fund ata 25 mijë njerëz, ata socialistë të cilët mendojnë se i ndihmoj kështu, duke qëndruar dhe duke luftuar shpresoj shumë të keni durimin të shihni e dëgjoni. Lexoni përtej 25 sekondave, ato janë të mjaftueshme për të sharë, por jo për të ditur e kuptuar. Besoj që shpjegova e dhashë llogari për votën time. Faleminderit të gjithëve dhe ju kërkoj pafund ndjesë njerëzve të mi në Polican, në Urë, në Divbjakë, në Maliq, Libohovë dhe kudo në bahskitë që u prekën nga vota ime.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.