E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pastrimi i parave me makina elektrike, zbulohet skema “Flux Fusion”
Lajme

Pastrimi i parave me makina elektrike, zbulohet skema “Flux Fusion”

Një hetim i thelluar i SPAK ka zbuluar një skemë të dyshuar të pastrimit të parave përmes kompanisë “FLUX FUSION” shpk, e lidhur me të dyshuarin për trafik ndërkombëtar kokaine Juri (Armando) Spore dhe rrethin e tij familjar.

Sipas dosjes hetimore, kompania në fjalë, së bashku me një rrjet të gjerë subjektesh të tjera, dyshohet se është përdorur për të kanalizuar dhe fshehur të ardhura me origjinë kriminale. Aktiviteti paraqitej si i ligjshëm, përmes tregtimit të makinave elektrike dhe ofrimit të shërbimeve taksi, me bazë në një showroom të vendosur në katin përdhes të kullave pranë Liqenit Artificial në Tiranë.

Persona të tjerë në prapaskenë

Hetimet sugjerojnë se, pavarësisht se disa kompani figurojnë në emër të vëllezërve Spore, kontrolli real i aktivitetit dyshohet se ushtrohej nga persona të tjerë. Konkretisht përmenden Adrian Rama, Erjon Rama dhe Elton Memeti, të cilët dyshohet se menaxhonin financat dhe vendimmarrjen strategjike.

Transaksione të dyshimta dhe lëvizje financiare

Në qendër të hetimit janë edhe disa transaksione të konsiderueshme financiare, që përfshijnë dhënie huash në vlera të larta, pa interes dhe pa afate të përcaktuara kthimi – elementë që ngjallin dyshime për qëllimin real të këtyre lëvizjeve.

Një tjetër element i rëndësishëm lidhet me kompaninë “Auto Fusion Plus”, e cila rezulton të ketë zotëruar 27 automjete elektrike me një vlerë të përafërt prej 800 mijë eurosh. Sipas hetimit, shitja e kësaj kompanie dyshohet të ketë qenë fiktive, duke shërbyer si mekanizëm për të maskuar origjinën e fondeve.

Strukturë e ndërtuar për të fshehur pronësinë reale

Sipas SPAK, skema dyshohet se ishte ngritur në mënyrë të tillë që të fshihte pronësinë reale të kompanive dhe burimin e parave. Përdorimi i personave të tretë si administratorë apo aksionerë formalë shihet si një strategji për të krijuar një “mburojë” ligjore dhe për të shmangur gjurmimin e drejtpërdrejtë të përfituesve realë.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë të gjitha lidhjet financiare dhe aktivitetet e dyshimta për të dokumentuar plotësisht mekanizmin e dyshuar të pastrimit të parave.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.