E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pazare droge me ish-bashkëpunëtorin e Ekobarit, kush është shqiptarja e arrestuar si pjesë e rrjetit të trafikut (VIDEO-FOTO)
Lajme

Pazare droge me ish-bashkëpunëtorin e Ekobarit, kush është shqiptarja e arrestuar si pjesë e rrjetit të trafikut (VIDEO-FOTO)

Një operacion i autoriteteve ligjzbatuese italiane i koduar “Obsesioni”, ka goditur një rrjet trafiku ndërkombëtar droge, raportuan këtë të hënë mediat italiane. Kokaina importohej në Itali nga Amerika e Jugut, ndërsa hashashi nga Markou dhe marijuahana nga Shqipëria.

Një nga personat e arrestuar është shqiptarja Elisabeta Kotja, 40 vjeçe, e cilësuar nga hetuesit së bashku me dy femra të tjera si “ndërmjetësuese e rangut të lartë me eksponentët e karteleve të Amerikës Jugore” për trafikun e kokainës. Kotja, sipas të njëjtave burime, është e fejuara e Salvatore Costantino, një figurë kryesore në këtë trafik ndërkombëtar droge. Hetimet kanë zbuluar se pesë grupe kanë bashkëpunuar mes tyre në trafikun e drogës. Një nga këto është grupi italian i udhëhequr nga vëllezërit Costantino, mes tyre edhe Salvatore, i dashuri i Elisabetës.

Hetimet

25 persona janë arrestuar në vazhdën e këtij operacioni me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës për llogari të klanit mafioz të Ndranghetas Mancusi di Limbadi.

Operacion antimafia i koduar “Obsesioni” është shtrirë në rajonet e Kalabrisë, Lombardisë e Puglias duke zbardhur një trafik të madh lëndësh narkotike nga Kolumbia, Venezuela, Republika Dominikane e Holanda drejt Italisë dhe Evropës.

Sasi të konsiderueshme kokaine bliheshin drejtpërdrejtë nga trafikantët e drogës në Amerikën Jugore e më pas shpërndahej e shitej në territorin italian.

Një rol të rëndësishëm në këtë trafik droge luanin gratë të konsideruar kokat lidhëse të këtij trafiku.

Në raportin e Antimafias italiane thuhet se shqiptarja Elisabeta Kotja lindur në Shqipëri më 19.09.1979 konsiderohet si një ndërmjetëse e nivelit të lartë me eksponentët e kartelave të drogës në Amerikën Latine. Mes të arrestuarve janë dhe dy femra venezuelase të njohura në panoramën e trafikut ndërkombëtar të drogës; Garcia Rebolledo Clara Ines e Forgione Gina.

Një nga të arrestuarit është dhe kolumbiani Murillo Figueroa Julio Andres, një trafikant mjaft i njohur droge që në të shkuarën ka bashkëpunuar me superbosin e kokainës Pablo Escobar, kreu i kartelit Medellin në Kolumbi.

Hetimet prej dy vitesh të antimafias italiane kanë zbardhur një sipërmarrje të vërtetë krimi në trafikun e drogës në nivel ndërkombëtar.

Janë sekuestruar mbi 3000 kg hashash që ka mundur t’i sjell klanve të Ndranghetas një përfitim prej 4-5 milionë euro që më pas investoheshin në trafikun e kokainës.

Për mbrojtjen e aktivitetit të tyre të drogës, përdornin dhe armët dokumentuar nga hetimet e antimafias të cilat kanë zbardhur rolin e italianit Cuçia Carlo, nga Kalabria, një aktor i dorës së dytë në serinë televizive Gomorra, me detyrën e gjetjes së armëve që viheshin në dispozicion të anëtarëve të këtij organizimi kriminal.

Bashkëpunimi në nivel ndërkombëtar me grupe trafikantësh nga Amerika e Jugut, Hollanda, Afrika e Veriut e Spanja, ka bërë që mafia kalabreze të shtrirë territorin e influencës së saj në trafikun e lëndëve narkotike në të gjithë Evropën duke rritur biznesin e fitimeve të cilat i investonte në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.