E hënë, 2 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Për qytetarët gaz, ujë, dronë, gjoba e pranga, për shkaqet “Dialog!”
Lajme

Për qytetarët gaz, ujë, dronë, gjoba e pranga, për shkaqet “Dialog!”

Ironia therëse e Lutfi Dervishit ndaj Ramës

Analisti dhe gazetari Lutfi Dervishi ka reaguar me ironi ndaj mënyrës se si qeveria po menaxhon protestat e studentëve, duke vënë përballë angazhimin e strukturave shtetërore kundër demonstruesve dhe problematikat që vijojnë të presin zgjidhje.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Dervishi ka renditur pesë pyetje që prekin disa prej çështjeve më të diskutuara ditët e fundit: përdorimin e dronëve për hedhjen e gazit lotsjellës ndaj protestuesve, mungesën e mjeteve të mjaftueshme për përballimin e zjarreve, shpërblimin e efektivëve të policisë, afrimin me Bashkimin Europian dhe luftën kundër korrupsionit.

Gazetari e nis reagimin duke vënë në dukje kontrastin mes teknologjisë së përdorur për ndërhyrjen ndaj protestuesve dhe nevojës për mjete ajrore që mund të ndihmojnë në shuarjen e vatrave të zjarrit.

Ai ngre gjithashtu pikëpyetje për mbërritjen e mjeteve ujëhedhëse me avion ushtarak, ndërsa shtron çështjen se ku ndodhen kapacitetet zjarrfikëse kur flakët rrezikojnë banesat dhe pronat e qytetarëve.

Një tjetër çështje që merr në fokus është vendimi për shpërblimin me 2,500 euro të punonjësve të policisë që angazhohen për garantimin e rendit gjatë protestave. Dervishi e lidh këtë me rolin e negociatorëve që punojnë për procesin e integrimit europian, duke pyetur se çfarë vlerësimi marrin ata për kontributin e tyre.

Në vijim, ai ndalet te ndryshimet dhe masat më të ashpra të parashikuara për tubimet, duke vënë përballë tyre mungesën, sipas tij, të një angazhimi të ngjashëm për frenimin e korrupsionit. Kjo është një prej çështjeve që kanë nxitur edhe daljen e të rinjve në protesta.

Në përfundim, Dervishi e përmbledh gjithë kritikën e tij me një kontrast mes mënyrës së reagimit ndaj protestuesve dhe qëndrimit të qeverisë për kërkesat që ata kanë ngritur. Sipas tij, ndaj demonstruesve janë përdorur gaz lotsjellës, ujë, dronë dhe trupa speciale, ndërsa janë paralajmëruar edhe gjoba e masa shtrënguese, kurse për arsyet që i kanë nxjerrë qytetarët në rrugë përgjigjja e ofruar është dialogu.

REAGIMI I PLOTË:

PESË PYETJE

Dronë për të hedhur gaz mbi protestuesit, po ku janë dronët për të shuar pyjet që digjen?

Ujëhedhëse të reja që mbërrijnë me avion ushtarak brenda ditës, po ku janë zjarrfikëset kur flakët kapërcejnë shtëpitë?

2.500 euro shpërblim për policët që mbajnë rendin, po sa shpërblehen “negociatorët” që po na afrojnë me BE?

Ligje të rrepta për të frenuar protestat, po ku është i njëjti zell për të frenuar korrupsionin?

Për protestuesit: gaz, ujë, dronë, trupa speciale, gjoba dhe pranga, ndërsa për shkaqet që i nxjerrin njerëzit në rrugë: DIALOG?!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.