Për Salianjin djalin e Gridës, të burgosurin ordiner dhe doktor Flamur Nokën
Berisha përballë apo krah “Matildizimit”?
“Djemtë e Mulit” dhe “Djemtë e Grida-s” nuk po luftojnë njëri-tjetrin për karrige. Të dyja palët me të vërtetë besojnë se po e bëjnë për PD-në: njëra anë mendon se po e shpëton, ndërsa tjetra se po e ringre.
Mbështetësit e “Doktor Nokës” nga njëra anë dhe adhuruesit e “Doktor Alimehmetit” nga ana tjetër janë përballë për të mirën e PD-së, dhe më besoni që kështu e mendojnë. Ashtu siç besojnë me shpirt se janë “doktorë”. Alimehmeti dhe Noka janë po aq doktorë sa është Ngjela avokat.
Pastaj kemi dhe Salianjin, të cilit i ka nisur t’i duket vetja si Arbnori. Por Pjetri hyri në burg sepse krijoi parti politike në komunizëm dhe doli prej andej si disident; ndërsa Ervini hyri në burg për një denoncim ndaj një trafikanti droge dhe doli—dyshoj, me gjithë respektin për atë lloj rruge—me respektin e atyre që kishte pranë në burgun e Fierit, jo me status disidenti. Arbnori në Burrel kishte disidentë të tjerë përkrah.
Uroj që Ervini të ketë hyrë si i burgosur politik e të mos ketë dalë si i burgosur ordiner.
Kur Sali Berisha udhëhiqte PD-në në vitet e para, në krah kishte vërtet “doktorë”, “studiues”, “historianë”, “ekonomistë”, “juristë”, “disidentë” e të tjerë. Të tillë sot mezi i gjen në Shqipëri, e jo më në PD. Kanë ikur…
Ndërsa nga ana tjetër, Rama—si një pacient i psikiatrisë—mban për shefe kabineti një psikiatre. Dhe përdor si mjet sundimi atë që di të bëjë më mirë: ta “matildizojë” shoqërinë, të vrasë shpresën, e ta detyrojë “shtresën e mesme”, pra trurin e vendit, ata që mbajnë një komb, të emigrojnë.
Në këtë ambient, Sali Berisha përpiqet të bëjë politikë serioze me intelektualë të improvizuar dhe disidentë të sforcuar.
Urdhëroi njëherë mbreti një të ditur të oborrit të mësonte qenin të fliste, përndryshe do ta vriste mësuesin e qenit. Pas një kohe, “mësuesi” kishte mësuar të lehte, por jo qenin të fliste.
Berisha, pas katër vitesh përpjekjesh për t’u mësuar “doktorëve” Muli e Alimehmeti dhe “disidentit” Salianji si të mendojnë politikisht përballë një të çmenduri pa rregulla politike e pa norma morale si pacienti i psikiatrisë, Rama, poston një video të Kastriot Myftarit për të na kujtuar se ai i kishte paralajmëruar këto zhvillime.
Në këtë zymtësi referencash e vlerash, nuk do të çuditesha të shihja Alfred Çakon në kupolën e ristrukturimit të PD-së. Audiencë ka!
Sali Berisha, si një shkollë e politikës serioze dhe ndoshta i vetmi intelektual i vërtetë në krye të një partie të madhe, duhet të gjejë formën për t’i afruar rreth vetes intelektualët dhe profesionistët e mirëfilltë, jo ata të improvizuar me grada e profesione të vetëshpallura. Shumica e lidershipit politik sot nuk ka zanat; nuk mund të punonin askund tjetër, sepse realisht nuk i merr njeri në punë. Nuk kanë zanat!
PS: Nuk po përmend emra të tjerë, se më duhen për në studio, t’i servirem si njerëz që dinë të mendojnë politikisht!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



