Përçarje e re në PD? Çim Peka shënjestron Flamur Nokën
“S’krahasohet me Berishën”
Në Partinë Demokratike duket se po rikthehen tensionet e brendshme. Gazetari dhe drejtuesi i Syri.tv, Çim Peka, ka kritikuar hapur Flamur Nokën, duke e vendosur në kontrast të fortë me liderin e PD-së, Sali Berisha.
Gjatë intervistës së mbrëmjes me Berishën në studio, Peka u ndal tek pozicionet drejtuese brenda PD-së, duke nënvizuar se diferenca intelektuale mes “numrit një” dhe “numrit dy” në parti nuk ka qenë kurrë më e madhe se sot. Ai përmendi ish-figura drejtuese si Neritan Ceka, Arben Imami, Ridvan Bode, Jozefina Topalli dhe Bamir Topi, duke theksuar se, pavarësisht përplasjeve të kohës, ata nuk kanë pasur “krisje intelektuale” me kryetarin e partisë si ajo që, sipas tij, ekziston aktualisht mes Berishës dhe Nokës.
“Edhe kundërshtarët tuaj të ashpër nuk ju kanë mohuar nivelin intelektual,” – u shpreh Peka, duke shtuar se lufta e brendshme në PD historikisht është bërë për pozicionin e dytë, jo për kreun e partisë.
Berisha shmangu komentet direkte, duke theksuar se rolin e numrit dy e mbajnë nënkryetarët dhe se secili prej tyre ka aftësitë dhe kontributin e vet profesional. Megjithatë, replika e tij u shoqërua me buzëqeshje ironike në studio.
Nuk është ende e qartë nëse deklaratat e Pekës ndaj Nokës lidhen me një konflikt personal apo sinjalizojnë lëvizje të reja brenda PD-së. Kjo vjen në një moment kur edhe ish-deputeti Ervin Salianji ka nisur një tur takimesh, duke kërkuar hapjen dhe riorganizimin e partisë.
Flamur Noka ka qenë shpesh në qendër të polemikave të brendshme, përfshirë edhe incidentin e disa ditëve më parë në degën e Kamzës, ku pati debate të forta me anëtarët lokalë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



