Përkeqësohet gjendja e këmbës së Veliajt, Ndreca kërkon ndërhyrje urgjente
“Situata nuk pret, më dorëzoni dokumentacionin mjekësor”
Gjendja shëndetësore e Erion Veliajt vijon të jetë në qendër të shqetësimit të mbrojtjes së tij, ndërsa kërkesa zyrtare drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për vënien në dispozicion të dokumentacionit mjekësor ende nuk ka marrë përgjigje.
Avokati Plarent Ndreca i është drejtuar këtij institucioni më 7 nëntor, duke kërkuar të gjitha të dhënat mjekësore që lidhen me dëmtimin e këmbës së kryebashkiakut të Tiranës dhe ndërhyrjen kirurgjikale që, sipas rekomandimit mjekësor, duhet të kryhet.
Në komunikimin e tij me autoritetet e burgjeve, Ndreca ka këmbëngulur se situata kërkon reagim të menjëhershëm dhe se çdo vonesë mund të ndikojë në trajtimin dhe rikuperimin e klientit të tij, i cili ndodhet i paraburgosur në burgun e Fierit.
Avokati ka kundërshtuar pritjen për procedurat e zakonshme administrative, duke argumentuar se përballë një situate të tillë shëndetësore nuk mund të pritet deri në ditën e hënë për marrjen e një përgjigjeje.
“Gjendja shëndetësore e klientit tim nuk mund të presë deri ditën e hënë dhe as t’u nënshtrohet afateve të zakonshme administrative”, thuhet në kërkesën e paraqitur nga Ndreca.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga mbrojtja lidhet me kohën që është dashur për kryerjen e ekzaminimeve. Sipas avokatit, kontrollet mjekësore ishin kërkuar prej rreth një muaji, por u realizuan vetëm më 7 nëntor. Pikërisht nga këto ekzaminime u evidentua nevoja për ndërhyrje kirurgjikale.
Ndreca kërkon që Drejtoria e Burgjeve t’i dorëzojë pa vonesa raportin e mjekut ortoped të Spitalit Memorial Fier, rezultatet dhe imazhet e ekzaminimeve, diagnozën përfundimtare, si dhe rekomandimet mjekësore për operacionin.
“Kërkesa ime është vetëm një: të më vini menjëherë në dispozicion dokumentacionin mjekësor të klientit tim, z. Erion Veliaj, përfshirë raportin e mjekut ortoped të Spitalit Memorial Fier, rezultatet dhe imazhet e ekzaminimeve të kryera, diagnozën dhe rekomandimet për ndërhyrjen kirurgjikale”, thekson avokati.
Deri në momentin e raportimit, kërkesa e mbrojtjes vijon të mbetet pa përgjigje nga Drejtoria e Burgjeve. Ndërkohë, mbetet e paqartë se kur do të vihet në dispozicion dokumentacioni i kërkuar dhe kur do të ndërmerren hapat e nevojshëm për trajtimin e dëmtimit të këmbës së Veliajt.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





