Përleshje me thika në Sarandë, 3 të rinj të plagosur, 2 të arrestuar
Tre të rinj kanë mbetur të plagosur pas një konflikti me thika të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Sarandë. Pas veprimeve të para hetimore, policia ka vënë në pranga dy persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Të plagosurit janë vëllezërit Elidon Shukulli, 24 vjeç, dhe Mario Shukulli, 20 vjeç, si dhe 19-vjeçari Andi Saliaj. Gjendja e 24-vjeçarit është konsideruar më e rënduar, ndaj ai është nisur drejt Tiranës për të marrë trajtim mjekësor më të specializuar.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 21:55, brenda një subjekti tregtar në lagjen nr. 1 të Sarandës, pranë zonës që të çon drejt shëtitores së qytetit.
Pas marrjes së dëshmive dhe kryerjes së veprimeve hetimore për të përcaktuar rrethanat e konfliktit, policia ka arrestuar 22-vjeçarin Kamelo Aliaj dhe 19-vjeçarin Andi Saliaj.
Ky i fundit rezulton njëkohësisht edhe mes tre personave të plagosur gjatë konfliktit.
Në vijim të hetimeve, policia ka shpallur në kërkim edhe 19-vjeçarin Eduard Bajrami, i dyshuar për përfshirje në ngjarje.
Sipas policisë, dy personat e arrestuar akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar se si nisi konflikti, çfarë e shkaktoi përplasjen dhe rolin konkret të secilit prej personave të përfshirë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



