E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Përmbytjet, Rama gjen justifikimin tek “baba” Erdogan
Bota

Përmbytjet, Rama gjen justifikimin tek “baba” Erdogan

“U përmbyt edhe Stambolli”

Kryeministri Edi Rama ka hapur episodin më të fundit të podcastit “Flasim”, duke e fokusuar fjalën hyrëse te përmbytjet e ditëve të fundit dhe duke u përpjekur t’i relativizojë pasojat e tyre në kontekst rajonal e më gjerë.

Sipas Ramës, Shqipëria nuk është një rast i veçuar dhe as viktimë e ndonjë keqmenaxhimi lokal, por pjesë e një fenomeni të gjerë klimatik që ka goditur një hapësirë të madhe gjeografike. Për të përforcuar këtë argument, ai solli si shembull edhe Turqinë, duke iu referuar situatës në Stamboll, ku – sipas tij – pamjet kanë qenë “apokaliptike”.

Në këtë mënyrë, Rama ndërtoi një narrativë të ngjashme me atë që përdor shpesh presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i konsideruar prej kritikëve si “babai i tij shpirtëror politik”: fatkeqësitë natyrore shihen si produkte të ndryshimit klimatik global dhe jo si pasojë direkte e dështimeve qeverisëse.

“Po jetojmë në një realitet të ri klimatik”, deklaroi Rama, duke theksuar se përplasja e masave të ajrit të ftohtë nga veriu me ajrin e ngrohtë dhe të lagësht mesdhetar ka krijuar një vorbull atmosferike mbi Evropën Juglindore, me reshje të pandërprera, dëborë dhe temperatura të ulëta. Sipas tij, ky është shpjegimi pse lumenjtë dalin nga shtrati, toka mbetet e tejngopur me ujë dhe reshjet marrin përmasa anormale.

Kryeministri insistoi se ndryshimi klimatik nuk manifestohet vetëm me vera përvëluese, por edhe me stinë të çrregullta, sisteme atmosferike të bllokuara dhe episode ekstreme që zgjasin më shumë se zakonisht. Një tablo kjo që, sipas Ramës, do të sjellë herë më shumë thatësira e zjarre, e herë më shumë përmbytje dhe kaos atmosferik.

Megjithatë, ndryshe nga e kaluara, Rama u shpreh se Shqipëria sot është shumë më e përgatitur për të përballuar emergjencat. Ai përmendi investime prej rreth një çerek miliardi eurosh në infrastrukturën e kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet, si edhe forcimin e strukturave të Emergjencave Civile me personel të trajnuar dhe pajisje moderne.

Si argument final, Rama solli edhe shifrën e sipërfaqes së përmbytur, duke theksuar se rreth 13 mijë hektarë tokë nën ujë përbëjnë, sipas tij, një “lehtësim” krahasuar me të kaluarën. Sipas kryeministrit, po të njëjtat kushte atmosferike, një dekadë më parë, do të kishin përmbytur dy ose trefishin e kësaj sipërfaqeje.

Një linjë arsyetimi që, ashtu si në retorikën e Ankarasë, synon të tregojë se faji nuk është te qeverisja, por te klima – ndërsa pushteti paraqitet si i përgatitur, reagues dhe i pafajshëm përballë “furisë së natyrës”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.