Përplasen trenat në Sllovaki, mbi 100 të plagosur
Një aksident i rëndë hekurudhor ka tronditur Sllovakinë mbrëmjen e së shtunës, ku dy trena u përplasën me njëri-tjetrin rreth 19 kilometra në veri të kryeqytetit Bratislavë.
Sipas autoriteteve vendase, në momentin e përplasjes në bord ndodheshin rreth 800 pasagjerë, ndërsa më shumë se 100 persona kanë mbetur të plagosur.
Qendra e Operacioneve të Shërbimit Mjekësor Emergjent të Sllovakisë njoftoi se 79 prej tyre janë dërguar me urgjencë në spital, ndërsa 60 të tjerë janë trajtuar në vendngjarje për lëndime të lehta.
Tre persona ndodhen në gjendje të rëndë, me dëmtime serioze në gjoks dhe në bark.
Një zëdhënës i Spitalit Universitar të Bratislavës tha se plagët varionin “nga gërvishtje të lehta deri te dëmtime të rënda që kërkonin ndërhyrje kirurgjikale”.
Në vendngjarje mbërritën më shumë se 60 oficerë policie dhe 70 zjarrfikës, të cilët ndihmuan në nxjerrjen e pasagjerëve dhe dhënien e ndihmës së parë.
Dy trenat e përfshirë në përplasje ishin ekspresi Tatran, që udhëtonte në linjën Kosice–Bratislavë, dhe një tren ekspres rajonal që vinte nga Nitra drejt kryeqytetit.
Shkaqet e aksidentit janë ende nën hetim, ndërsa autoritetet kanë nisur një ekspertizë të plotë për të përcaktuar nëse përplasja erdhi si pasojë e një defekti teknik apo gabimi njerëzor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



