E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Përplasja me SPAK, Rama fut duart tek ligji për kokën e Ballukut
Lajme

Përplasja me SPAK, Rama fut duart tek ligji për kokën e Ballukut

Mazhoranca socialiste po përgatitet të ndërhyjë në legjislacion pas situatës së krijuar me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e pezullimit të Belinda Ballukut, duke synuar të sqarojë përfundimisht kufijtë mes pushtetit ekzekutiv dhe ndërhyrjes së drejtësisë.

Gjykata Kushtetuese u nda në një votim 4 me 4 për kërkesën e qeverisë, duke mos arritur të japë një vendim nëse kërkesa e SPAK për pezullimin e Ballukut përbënte ndërhyrje në kompetencat e ekzekutivit. Pas këtij zhvillimi, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se grupi parlamentar socialist do të angazhohej për një zgjidhje përmes ndryshimeve në ligj.

Sipas informacioneve nga burime brenda mazhorancës, ndërhyrja ligjore pritet të fokusohet te ndryshimi i nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, që rregullon pezullimin e ushtrimit të një detyre ose shërbimi publik. Për momentin, nuk parashikohet ngritja e një grupi të posaçëm pune me juristët e grupit parlamentar socialist, ndërsa procesi i hartimit të ndryshimeve duket se i është besuar ministrit të Drejtësisë, Besford Lamallari.

Neni 242 parashikon se gjykata, me vendim, mund të pezullojë përkohësisht nga detyra një të pandehur, duke i ndaluar plotësisht ose pjesërisht ushtrimin e funksioneve që lidhen me të. Aktualisht, ky nen përcakton se masa e pezullimit nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.

SPAK e përdori për herë të parë këtë dispozitë kur kërkoi pezullimin e Belinda Ballukut nga funksionet publike që mbante, duke nxitur një debat të fortë politik dhe juridik mbi kufijtë e ndërhyrjes së drejtësisë në ekzekutiv.

Ndryshimet e propozuara synojnë të zgjerojnë kategorinë e funksionarëve që nuk mund të pezullohen nga detyra përmes kësaj mase. Sipas variantit që po diskutohet, pezullimi nuk do të zbatohet për të gjithë funksionarët, funksionet e të cilëve burojnë drejtpërdrejt nga Kushtetuta.

Në këtë kategori pritet të përfshihen Presidenti i Republikës, Kryeministri, anëtarët e Këshillit të Ministrave, Avokati i Popullit, kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Qëllimi i këtyre ndryshimeve është t’i japë fund debatit nëse SPAK dhe më pas Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po ndërhyjnë në kompetencat e qeverisë përmes masave të pezullimit.

Ende nuk ka një afat të qartë se kur projekt-ndryshimet do të paraqiten për diskutim dhe votim në Kuvend, por burime nga shumica bëjnë të ditur se procesi pritet të avancojë në javët në vijim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.