Peshkatari 71-vjeçar kap krapin gjigant 21.5 kg në Vjosë
Një kapje e rrallë është regjistruar në lumin Vjosa, ku një peshkatar me përvojë mbi katër dekada ka arritur të nxjerrë nga uji një krap me përmasa mbresëlënëse. Bëhet fjalë për Petrit Trokën, 71 vjeç, nga fshati Frakull i Fierit, i cili ka kapur me grep një krap të njohur ndryshe nga banorët si “pendëkuq”, me peshë plot 21.5 kilogramë.
Për peshkatarin e moshuar, kjo nuk është hera e parë që përballet me një trofe të tillë, por mbetet një moment i rrallë në gjithë karrierën e tij. Ai tregon se gjatë më shumë se 40 viteve të përkushtuara ndaj peshkimit, vetëm një herë më parë ka kapur një krap më të madh, që arrinte peshën 23 kilogramë.
Sipas tij, eksperienca dhe njohja e mirë e lumit kanë luajtur rol kyç në këtë sukses, por Vjosa vazhdon të mbetet një burim surprizash të papritura. Kapja e këtij krapi gjigant ka zgjuar interes dhe kureshtje në zonë, duke tërhequr vëmendjen e banorëve dhe të apasionuarve pas peshkimit.
Rasti konfirmon edhe një herë pasurinë e jashtëzakonshme natyrore të lumit Vjosa, i cili konsiderohet ndër lumenjtë më të paprekur në Evropë dhe një habitat i rëndësishëm për specie të ndryshme ujore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



