Pirro Vengu: Mësuesit, mjekët dhe ushtarakët duhet të jenë në krye të piramidës së pagave
Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vengu, ka komentuar vendimin e qeverisë për shpërblimin e efektivëve të Policisë së Shtetit dhe rritjen e paralajmëruar të pagave të tyre, duke theksuar se profesionet që mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejta për sigurinë dhe shërbimin ndaj qytetarëve duhet të vlerësohen më shumë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Vengu u shpreh se mësuesit, ushtarakët, punonjësit e policisë, mjekët, infermierët dhe zjarrfikësit duhet të renditen në krye të piramidës së pagave në administratën shtetërore.
Sipas tij, përgjegjësia që mbajnë këto kategori dhe roli i tyre në të ardhmen e shoqërisë duhet të reflektohen edhe në vlerësimin financiar që u bëhet.
Reagimi i deputetit vjen pas njoftimit të kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë një takimi me drejtuesit e Policisë së Shtetit bëri të ditur se çdo efektiv i angazhuar në përballimin e protestave do të përfitojë një shpërblim prej 2,500 eurosh. Rama paralajmëroi gjithashtu rritje të konsiderueshme të pagave për punonjësit e policisë, duke nisur nga 1 janari.
Reagimi i plotë i Pirro Vengut:
“Një Komb është i pavarur për aq sa ka forcën të vendosë për fatin e vet dhe të mbrojë atë që ndërton. Kjo forcë kërkon institucione që qëndrojnë në këmbë dhe njerëz që dinë, munden dhe guxojnë të përmbushin detyrën.
Ndaj duhet rivendosur rendi. Rendi në rrugë, por edhe rendi i vlerave dhe i përgjegjësive: çfarë çmojmë, kujt i besojmë dhe cilin zgjedhim të shpërblejmë. Kur vlerat dhe përgjegjësitë vendosen në rendin që u takon, dialogu demokratik mund të nisë dhe të sjellë ndryshim.
Ky është edhe thelbi i rritjes së pagave dhe shpërblimeve për Policinë e Shtetit.
Arsimtarët, ushtarakët e policët, mjekët e infermierët dhe zjarrfikësit duhet të jenë në krye të piramidës së pagave në administratën shtetërore. Për përgjegjësinë që mbajnë dhe për shembullin që një shoqëri zgjedh t’u japë fëmijëve të saj.
Kujdestarët e brezave dhe të parakushteve për një të ardhme më të mirë për të gjithë duhet të jenë në krye: në vlerësim, në shembull dhe në shpërblim.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



